Shtetasit Lulzim Osmani, 70 vjeç paraditen e sotme i kanë mbërritur përmbaruesit privat që të lironte banesën ku ishte strehuar nga shteti 37 vite më parë, pasi i ka dalë pronari.

Banesa në fjalë është në lagjen nr.1 të qytetit të Durrësit, përgjatë rrugës Tregtare, ku banon që në vitin 1983 familja prej 7 anëtarësh me dy vajza të mitura, njëra prej të cilave e sëmurë.

Para mediave, 70-vjeçari Osmani tregon se ndër vite ka kërkuar pronarin e vërtetë të shtëpisë, i cili rezultoi të ishte shtetasi Rafaelo Jakoeli që kishte humbur jetën prej në vitin 1946.

Ai thotë se në vitin 2019 është shfaqur një grua e cila pretendon se është pasardhëse e shtetasit izraelit Jakoeli dhe ka marrë certifikatën e pronësisë së apartamentit përmes një gjyqi ku ai nuk është thirrur të merrte pjesë.

“Në ’92 që u kthy prona tek i zoti e deri në vitin 2018, mua nuk më ka ardhur ndonjë që të më trokasë në derë që unë jam pronari i vërtetë dhe të më japësh qiranë e shtëpisë. Deri në vitin 1997 mua qiranë e shtëpisë ma ka marrë shteti”, thotë ai ndërsa tregon se pas këtij viti i kanë lëshuar një vërtetim që ai jeton në banesën e shtetasit Rafaelo Jakoeli, i cili nuk ka paraqitur dokumentacion për kthimin e pronës.

“Për çudi në vitin 2019 më dalin pronarë të tjerë, vjen një grua dhe në maj të 2019 bëhet një gjyq në të cilin gjykata nuk më ka sjellë kërkesë për t’u paraqitur dhe nuk kam marrë pjesë fare në atë gjyq.”, thotë ai.

Avokati i familjes Osmani, Ilir Malindi lidhur me këtë çështje thotë se dokumentacioni i paraqitur nga gruaja është i dyshimtë ndërsa thekson urdhrin e vitit 2013 nga ministrja e Turizmit, Eglantina Gjermeni.

“Urdhri nr.34 datë 23.11.2013, Pika 3, ku thuhet: Nuk mund të lëvizin nga shtëpitë persona të cilët, kanë fëmijë të mitur, kanë fëmijë të sëmurë dhe persona të moshuar mbi 70 vjeç. Ky është urdhër i detyrueshëm për të gjithë institucionet, jo vetëm policieske por edhe të pushtetit lokal.”, thotë avokati Malindi.

Policia ka njoftuar më pas familjen Osmani se operacioni i nxjerrjes së tyre nga banesa do të shtyhet për datën 1 shtator.

G.D.