Durrës, 19 korrik 2014 – I dënuari me 10 vite burg, Shpëtim Mema, i cili javë më parë u bë protagonist i plagosjes së dyfishtë në një lokal me muzikë live në plazhin e Durrësit kthehet në “mollën e sherrit” mes Prokurorisë dhe Gjykatës së qytetit bregdetar.
Pas ngjarjes, Prokuroria e Durrësit kërkoi nga Gjykata e Durrësit caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg” për shtetasin Shpëtim Mema, i dyshuar për veprën penale të “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”, “Kanosjes”, dhe “Mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municioneve”, parashikuar nga nenet 79/dh, 84 dhe 278/4 i Kodit Penal.
Por në seancën gjyqësore ndaj shtetasit Mema, gjykatësi T. Hamitaj, pasi vlerësoi si të ligjshëm arrestimin në flagrancë të Shpëtim Memës, vendosi të mos caktojë masë sigurie për këtë shtetas. Pikërisht ky vendim i gjykatësit Hamitaj vlerësohet në ankimimin e Prokurorisë së Durrësit në Gjykatën e Apelit si «i pabazuar në ligj dhe në prova».
Organi i akuzës thekson në ankimim se shtetasi Mema paraqet një rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe për këtë arsye «ndaj këtij të dyshuari duhet të caktohet një masë sigurimi personal dhe se në këtë rast masa e sigurimit arrest në burg, është më e përshtatshmja duke patur parasysh rrezikshmërinë e lartë shoqërore të veprës dhe autorit të saj ».
Nga ana tjetër prokuroria shkruan në ankimim se « Vendimi penal ende nuk është zbardhur dhe për arsye të kalimit të afatit të ankimit bëjmë këtë ankim ndaj vendimit gjyqësor të lartpërmendur. Pasi të na vihet në dispozicion vendimi gjyqësor i arsyetuar do të parashtrojmë shkaqe të tjera për kundërshtimin e këtij vendimi penal, nëse do të kemi ».
Prokuroria kërkon nga Apeli iDurrësit « Ndryshimin e vendimit nr. _____, datë 08.07.2014, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës dhe pranimin e kërkeses tone, caktimin e masës së sigurimit personal arrest ne burg parashikuar nga neni 238 te K.Pr.Penale ndaj personit nën hetim Shpëtim Mema”.
Ngjarja
Ngjarja që duket se ka futur në konflikt Prokurorinë dhe Gjykatën e Durrësit u regjistrua në orët e para të mëngjesit të datës 4 korrik në lokalin « Colombo » në plazh.
Shtetasi Shpëtim Mema, i cili kishte përfituar një leje disa ditore nga burgu i Rrogozhinës, institucioni ku po vuante dënimin, ka shkuar në lokalin « Colombo » dhe aty është konfliktuar me rojen e këtij biznesi, shtetasin Besnik Ruçi. Mema ka kërcënuar dhe qëlluar me pistoletë në drejtim të Ruçit, ndërkohë që ky i fundit e ka qëlluar me grusht. Ruçi nuk e ka lejuar Memën të futej në lokal, pasi shijakasi kishte me vete një pistoletë që e mbante pa leje.
Mema është larguar, por pas disa orësh është kthyer sërish dhe ka qëlluar në drejtim të rojes dhe pronarit të lokalit, shtetasit Pëllumb Tuda. Edhe ky i fundit ka qëlluar me pistoletë në drejtim të Memës. Prej të shtënave kanë mbetur të plagosur shtetasit Besnik Ruci dhe Pëllumb Tuda.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





