Durrës, 12 qershor 2014 – I kërkonte lekë para nënës së moshuar dhe kur kjo e fundit nuk kishte më se çfarë t’i jepte e ka zhdëpur në dru.
Rasti më i fundit i dhunës në familje është regjistruar në një familje durrsake, dhe protagonist i saj ka qenë 52 vjeçari Shpëtim K., ndërsa viktimë nëna e tij 75 vjeçare.
Burime policore bëjnë të ditur për “Dyrrah”, se 52 vjeçari me profesion xhenerik, ishte divorcuar kohë më parë për shkak të problemeve të theksuara në çift, që kishte me bashkëshorten e tij. E ëma e tij, duke i ardhur keq për djalin që po jetonte i vetëm e ka marrë në shtëpinë e saj. Kjo gjë është pritur me reagime të forta nga vëllezërit e Shpëtimit, të cilët duke njohur karakterin e tij i trembeshin faktit se ai mund të sillej keq edhe me nënën e tyre.
Duket se ajo që kishin parashikuar vëllezërit e Shtëtimit se do ndodhte, ndodhi. Pas disa kohe që jetonte me nënën e moshuar, 52 vjeçari humb dhe punën.
Ky fakt e ka përkeqësuar edhe më tej gjendjen e tij dhe ka acaruar marrëdhëniet me nënën. Herë pas here ai i kërkonte para nënës së moshuar. Kjo e fundit e ka ndihmuar me sa ka pasur mundësi, por në momentin që i mbaroi lekët dhe nuk kishte më se çfarë t’i jepte djalit ka kërcitur dajaku.
Mësohet se rrahjen e parë brutale nga i biri, e moshuara 75 vjeçare e ka pësuar 5 ditë më parë. Por duke qenë se bëhej fjalë për djalin e saj, 75 vjeçarja e ka kaluar në heshtje dhunimin që ju bë. Një ditë më parë, historia është përsëritur sërish, por këtë herë në formë edhe më të rëndë.
Kjo e ka shtyrë nënën, që me shenjat e dhunës në trup, t’i drejtohet komisariatit të policisë për të denoncuar djalin e saj. Pas marrjes së dëshmisë së të moshuarës, policia ka arrestuar mbrëmjen e së mërkurës 52 vjeçarin Shpëtim K., i cili akuzohet për “Dhunë në familje”.
Në të njëjtën kohë, policia ka plotësuar Kërkesë-padinë për lëshimin e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes për 75 vjeçaren, për të evituar përsëritjen e rasteve të tjera të dhunës nga ana e djalit të saj.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





