Policia e Mbrojtjes nga Zjarri dhe e Shpëtimit në Durrës ka ngritur sërish apelin e fortë për ngritjen e një shërbimi zjarrfikës në portin e karburanteve, në Porto Romano, një kërkesë kjo e konsideruar si primare. Subjektet private të importimit, tregtimit, magazinimit dhe shpërndarjes së naftës e gazit të lëngshëm, që operojnë në porto Romano, duhet të kenë në gadishmëri një stacion zjarrfikës.
“Në rast zjarri duhet të jetë ndërhyrja e tyre e menjëhrshme dhe të mos pritet vajtja deri atje e zjarrfikëseve të qytetit,” – deklaroi kreu i PMNZSH së Durrësit, Adriatik Velaj.
Velaj nënvizoi se vendosja në efiçencë e një poste zjarrfikësish nuk është bërë e mundur, edhe pas kërkesave të vazhdueshme nga Prefekti i Qarkut. “Një stacion i tillë duhet të jetë në efiçencë pranë këtij porti dhe kjo është një siguri e shtuar, pavarësisht se deri tani nuk ka patur kërcënim real për shpërthim zjarri,” – shton Velaj.
Shqetësimi u bë sërish publik gjatë një aktiviteti që zhvilluan forcat e shërbimit zjarrfikës të Durrësit me mejtet që kanë në dispozicion në një prej shkollave të qytetit, duke sensibilizuar nxënësit në rast zjarri.
K. H.





