Sot pasdite ju dha lamtumira e fundit një të riu 27-vjeçar, që ditën e shtunë u nxorr i mbytur në breg, në plazhin e Porto Romanos.
DurrësLajm mëson se bëhet fjalë për Ismail Berberin, më të madhin e 3 vëllezërve, banues i lagjes nr.3 në Durrës. I riu kishte humbur kontaktet me familjarët që nga dita e premte dhe ata nuk dinin asgjë për fatin e tij. Të shumtë ishin familjarët, atë afërmit dhe të njohurit që morën pjesë në ceremoninë mortore të të riut, që humbi jetën tragjikisht pak ditë më parë.
Vetëm pasditen e së shtunës, rreth 24 orë pasi familjarët e tij kishin nisur të shqetësoheshin për fatin e të riut, u pikas në det trupi i tij në det, rreth 100 metra nga bregu, në plazhin e Porto Romanos. Nuk dihet ende pse ata ditë, 27-vjeçari kishte zgjedhur të shkonte vetëm në plazh dhe njëkohësisht janë ende të paqarta rrethanat e mbytjes. Fillimisht policia nuk kishte mundur ta identifikonte të riun, pasi ai nuk kishte asnjë dokument me vete. Kanë qenë familjarët e të ndjerit që kanë identifikuar më pas trupin e viktimës në morgun e spitalit.
Në njoftimin paraprak për shtyp, policia bëri të ditur se në trupin e 27-vjeçarit nuk ishin gjetur shenja dhune, çka të shtyn të dyshosh se i riu është futur për t’u larë në det dhe pastaj është ndjerë keq dhe është mbytur.
Në momentin kur trupi i tij u nxorr në breg, mbante veshur vetëm rrobat e banjos. Trupi ishte pikasur duke pluskuar në det dhe policia është njoftuar nga punonjësit e një lokali që ndodhej aty pranë.
Java që sapo lamë pas u mbyll me një bilanc tragjik përsa i përket numrit të të rinjve që humbën jetën në qytetin bregdetar.
Një 29-vjeçar dhe një 28-vjeçar kryen aktin ekstrem të vetëvrasjes, ndërsa 27-vjeçari Berberi humbi jetën i mbytur në det.





