Ish-portierit të njohur të Lokomotivës së Durrësit dhe ekipit të Shkëndijës, Vladimir Ajazit, iu dha sot lamtumira e fundit. Miq, kolegë e ish-kolegë dhe personalitete të politikës dhe jetës publike në Durrës zhvilluan homazhe pranë Qendrës Kulturore “Aleksandër Moisiu”, ku ishte vendosur arkëmorti i ish-futbollistit 69-vjeçar, ndarja nga jeta e të cilit la pas shumë dhimbje e lot tek familjarët dhe të njohurit.

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, një mik i Lad Ajazit u shpreh se ndarja nga jeta e ish-portierit të njohur është një humbje e madhe për futbollin dursak dhe atë kombëtar.

Për ish-futbollistët e njohur Shyqyri Ballgjini, Niko Jani dhe Artur Çobani, miq të afërt dhe ish-kolegë të Ajazit, fjalët mezi gjenden në këto momente të dhimbshme, ndërsa trishtimi dhe zëri i dridhur shprehin qartë pikëllimin e madh për humbjen e shokut të tyre, një lojtari që ka lënë emër në sportin shqiptar si me ekipin e Durrësit ashtu edhe atë kombëtar, por edhe një njeriu shumë të mirë e me zemër të madhe.

Ish-legjenda e portës së Lokomotivës dhe Kombëtares, Sulejman Maliqati, pavarësisht moshës së thyer, ishte sot i pranishëm në homazhe. Ai kujtoi momentet kur e stërviste Ladin si portier, së bashku me djalin e tij, por edhe kohën kur të dy punonin pranë shkollës “Kushtrimi i lirisë” si mësues.

Vladimir Ajazi u nda nga jeta mëngjesin e datës 18 nëntor, pas një sëmundjeje të rëndë prej së cilës vuante prej 5 vitesh.  

M.B.