Nga Shefqet Kërcelli
Paraditen e datës 3 qershor 2019, në Komandën e Forcës Detare{Plepa},u zhvillua ceremonia e lamtumirës per ish-Komandantin e Forcës Detare, Kapiten i Rangut të I-rë, Fitimi Halili. Në këtë ceremoni të organizuar nga Komanda e Forcës Detare, Shoqata e detarëve dhe familja e të ndjerit, morën pjesë familjarë, miq e të afërm, ish-ushtarakë, kolegë e shokë të Fitimit, kuadro dhe detarë të Forcës Detare, etj.
Fillimisht Zv/Komandanti i Forcës Detare, Kapiten i Rangut të I-rë, Artur Mecollari, mbasi shprehu ngushëllimet për ndarjen nga jeta të zotit Fitim Halili, foli për jetën dhe veprimtarinë e Tij, si njeri, si kuadër e Komandant i Forcës Detare, një jetë e lidhur pazgjidhshmërisht me Forcën Detare.
“I ndjeri, Fitim Halili, lindi në Tiranë më 1 prill 1946, në një familje atdhedashëse nga Corushi i Mallakastrës. Babai i Fitimit, Rrapo Halili, ju bashkua rradhëve partizane që në fillim të luftës. Ndërsa Fitimi mbas përfundimit të shkollës ‘Skënderbej”, me dëshirën e tij filloi studimet në Shkolën e Marinës, Vlorë të cilën e përfundoi me rezultatet të larta”, nënvizoi Kapiten Mecollari.
Më pas në të gjitha detyrat e caktuara, në repartin e silurave, Nëndetëse, Komandand i Brigadës së ND, e me radhë, Fitimi shërbeu me përkushtim e profesionalizëm. Këto vlera, Ai i shfaqi dhe kur drejtoi Flotën tonë Luftarake në vitin 1992-’93, në një kohe reformimi e strukturimi të Forcës Detare. Pavarësisht vështirësive, problemeve shëndetsore, halleve familjare, Fitimi arriti ti përballonte ato me sukses dhe të vazhdonte të kontribonte me të gjitha mundësitë në detyrat që ju ngarkuan deri në vitin 2001, kur doli në pension.
Në emër të efektivit të Forcës Detare, i shprehim familjes ngushëllimet më të sinqerta. Jeta dhe vepra e Komandant Fitimit, do ngelen në kujtesën e gjithë brezave të detarëve, theksoi Kapiten i Rangut të I-rë Artur Mecollari. Më pas për jetën dhe veprimtarinë e Kapiten Fitimi Halilit foli zoti Petrit Myftiu, ish koleg dhe shok i Fitimi Halilit. Ai evidentoi vecanërisht kontributin e Fitimi Halilit, si Komandant ND, Komandant i Brigadës së ND, si shok dhe familjar. Komandant Fitimi la pas dy fëmijë të mrekullueshëm, Inën dhe Erindën, të cilët morën nga babai i tyre, edukimin dhe arësimim e nevojshëm. Këtë fakt e nënvizoi dhe vajza e Fitimit në fjalën e saj.
Duke falenderuar Komandën e Forcës Detare dhe Ministrine e Mbrojtjes për vlerësimin që i bën figurës së babait të tyre, Ina Halili, u shpreh se, e kemi të pamundur të pranojmë largimin e tij, pasi tek ai, kemi gjetur gjithmonë njeriun e gjallë dhe plot jetë. I dashur dhe i ngrohtë, i rreptë, rigoroz, por dhe i gjerë e i thellë si deti, që aq shumë e donte. Në vijim të ceremonisë, Kapiten i Rangut të I-rë, Arsen Mullaj, i lexoi pjesmarrësve ne këtë ceremoni, telegramin e ngushëllimit të dërguar nga Shefi i Shtabit i FA, Gjeneral brigade, Bardhyl Kollcaku.
Në telegram, Gjeneral Kollcaku shprehu ngushëllimet e tij për ndarjen e parakohëshme nga jeta të Kapiten Fitim Halilit, dhe vlerësoi korrektësinë, përkushtimin e kontributin e vecantë të zotit Fitimi Halili në gjithë detyrat e ngarkuara në Forcën Detare. Mbas homazheve në Komandën e Forcës Detare, pjesmarrësit shkuan tek Anija “LISSUS”, ku sipas traditës së detarëve, hiri i trupit të tij, u hodh në det. Tashmë trupi dhe shpirti i Kapitenit të Rangut të I-rë Fitim Halili do jenë pjesë e valëve të Adriatikut dhe Jonit, që Fitimi i donte aq shume.
LAMTUMIRË Komandant FITIMI HALILI!
TU PREHTË SHPIRTI NË PAQE!
I PËRJETSHËM QOFTË KUJTIMI YT!





