Tenda e një dyqani që tregton fruta – perimet ishte në fokusin e aksionit të sotëm për lirimin e hapësirave publike në qytetin e Durrësit. Përqendrimi i të gjitha strukturave lokale ishte tek ky dyqan, tendën e të cilit po e çmontonte vetë pronari i saj.

I njoftuar disa ditë më parë për heqjen e tendës, qytetari e konsideron të padrejtë vendimin e autoriteteve.

“Ky aksion është i pavlefshëm për mua, sepse kjo ndërtes është pronë private dhe këta vijnë sot dhe thonë duhet ta heqësh se s’bën. Më kanë njoftuar të premten 3 policë bashkiakë. U thashë nuk kam zënë trotuarin, jam në pronë private. Më thanë kur të vijnë ata ta shikojnë. Tani vijnë më thonë duhet ta heqësh se s’bën. Po mundohem ta heq vetë, nuk po më lënë. Më thonë do ta heqim ne. U thashë deri në drekë do ta kem hequr. Do ta heq avash avsh se kam dhe mallin e dyqanit.”,- thotë qytetari për “DurrësLajm”.

Nga e premtja e javës së kaluar, aksioni për lirimin e hapësirave publike është përqendruar në rrugën “Aleksandër Goga”, ku përgjatë këtyre ditëve janë hequr kioska, tenda, shkallë dhe struktura betoni e druri etj.

Sipas IMT-së dhe Policisë Bashkiake, bizneset i kanë zënë në mënyrë të kundraligjshme keto hapësira publike, të cilat tashmë po u kthehen qytetarëve.

Por vetë qytetarët kërkojnë një efikasitet më të madh nga ky aksion, që vijon prej mëse një muaji.

“Shumë mirë bëjnë dhe të vazhdojnë. Është bërë sikur janë liruar hapësirat publike. Te Muzeu janë shtesat para pallateve, ato nuk janë pjesë e themeleve. Ato janë shtesa të gjitha”.

“Po shkojmë drejt Evropës dhe këto gjëra stonojnë pak për momentin. Megjithatë shumë mirë është. Po I heqin këto, por mos lirojnë hapësirat që të bëhen të tjera. Se këto I heqin, bëhen të tjera dhe vazhdon kjo punë prapë aksion, prapë aksion…”

E ndërsa aksioni i nisur në rrugën “Aleksndër Goga” pritet të shtrihet deri në afërsi të spitalit rajonal, në zonat ku tashmë janë kryer prishjet, punonjësit e Ndërmarrjes “Rruga” vijonin punën për largimin e inerteve. E gjithë zona ka nevojë për rehabilitim dhe sistemim për t’i kthyer në funksionale dhe estetikisht të bukura këto hapësira publike.