Durrës, 17 prill 2014 – Një 46 vjeçar nga Maminasi po procedohet penalisht në gjendje të lirë, pas denoncimit të bërë ndaj tij nga një banore e Katund Sukth.
67 vjeçarja P.P. pretendon se i ka paguar në dorë një për një të gjitha faturat e ujit të pijshëm për vitin 2013 tek ish faturisti A.Gj. Mësohet se ky i fundit punonte pranë ndërmarrjes së Ujësjellës Kanalizimeve Durrës përgjatë vitit të kaluar.
Për të evituar rrugën deri në sportelet e ndërmarrjes së Ujësjellësit, e moshuara në mirëbesim i ka dhënë shumën mujore faturistit 46 vjeçar me qëllim që ky i fundit të bënte derdhjen e lekëve në emër të saj.
Por në fillim të këtij viti e moshuara është gjetur para një fakti tronditës. Punonjës të Ujësjellësit janë paraqitur pranë banesës së saj me qëllim për t’i ndërprerë furnizimin me ujë, sepse rezultonte debitore përgjatë gjithë vitit 2013.
Pasi ka tentuar të sqarojë të gjithë situatën para punonjësve të Ujësjellësit, 69 vjeçarja është drejtuar më pas për në komisariatin e policisë për të bërë denoncimin përkatës për ish faturistin mashtrues. Ky i fundit akuzohet për veprën penale ”Vjedhje e kryer duke shpërdoruar detyrën”.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





