Durrës, 24 prill 2014 – Një i ri nga Durrësi ka shkatërruar shtëpinë dhe ka tentuar të vetëvaret, në formë presioni ndaj prindërve të tij që nuk i jepnin para për të shpenzuar.
Ngjarja ka ndodhur një ditë më parë dhe ka pasur për protagonist 23 vjeçarin O.T. Mësohet se i riu prej kohësh ishte i papunë dhe vazhdimisht u kërkonte prindërve para për të plotësuar dëshirat e tij. Në pamundësi për t’ia plotësuar kërkesat si dhe të lodhur nga dembelizmi i djalit të tyre dhe justifikimet e zakonshme për të mos u angazhuar me punë, prindërit kanë refuzuar t’i japin para.
I ndodhur në këto kushte, rreth orës 09.00 të ditës së mërkurë, 23 vjeçari ka nisur të grindet me familjarët e tij dhe në një moment zemërimi ka thyer xhamin e njërës prej dritareve të shtëpisë si dhe ka dëmtuar derën e banesës. Ndërsa prindërit kanë nxitur të pengojnë djalin e tyre që t’u shkatërronte shtëpinë, ai ka tentuar të vetëvaret në banesë.
Kanë qenë fqinjët ata që kanë njoftuar policinë, kur kanë dëgjuar të bërtiturat dhe zhurmat që vinin nga shtëpia e 23 vjeçarit O.T. Policia, e cila ka mbërritur menjeherë në vendngjarje, ka nisur hetimet për këtë rast.
Sipas policisë, “depresioni” i të riut ishte më shumë një formë e zgjedhur prej tij për të vazhduar jetën e shkujdesur që bënte, sesa një sëmundje e mirëfilltë që mund ta çonte atë drejt ndërmarrjes së aktit ekstrem. Për këtë arsye efektivët e rendit kanë nisur procedimin penal në gjendje të lirë ndaj të riut me akuzën “Shkatërrim prone”.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





