Qëlloi me armë zjarri në ajër dhe kanosi punonjësit e Policisë, arrestohet në flagrancë 24-vjeçari nga Maminasi.
Policia njofton se mbrëmjen e djeshme (e premte) rreth orës 20:00, pas një konflikti familjar, në vendin e quajtur “Liqeni i Karpenit, shtetasi R. D., 24 vjeç, banues në Maminas, ka qëlluar në ajër me një armë zjarri pushkë, të cilën e dispononte me lejen e organeve kompetente.
Menjëherë në vendngjarje janë afruar shërbimet e Policisë dhe pas thirrjes për dorëzim shtetasi R. D. nuk i është bindur urdhrit të Policisë dhe me armën në dorë i ka kanosur edhe punonjësit e policisë.
Arrestimi i këtij shtetasi u bë në flagrancë, i akuzuar për 3 vepra penale: “Kundërshtimi i punonjësit të policisë”, “Prishja e rendit dhe qetësisë publike” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.
Në vijim të veprimeve rezultoi se ky shtetas kishte drejtuar mjetin në gjendje të dehur në masën 0.90 mg/l.





