Dy xhupat e lëkurës që kishte lënë në makinë kanë tërhequr vëmendjen e hajdutëve, të cilët nuk janë menduar dy herë, por kanë hyrë menjëherë në veprim.

Ngjarja është regjistruar në lagjen nr.17 në Durrës. Shtetasi B.K. 64 vjeç kishte lënë në makinën e tij tip “Dodge”, të cilën e kishte parkuar para shtëpisë, dy xhupa lëkure, pa menduar se ato të bëheshin pre e hajdutëve.

Kur ka shkuar mëngjesin e sotëm pranë makinës, 64-vjeçari ka konstatuar se njëri nga xhamat e mjetit ishte thyer dhe e vetmja gjë që mungonte ishin xhupat e lëkurës.

Pronarit të mjetit si mbeti gjë tjetër veçse të denonconte vjedhjen në polici.

Ndërkohë, po në të njëjtën lagje dhe po gjatë natës së të dielës, në një mjet tip “Volkswagen” hajdutët kanë vjedhur kasetofonin e makinës. Edhe në këtë rast vjedhja është realizuar duke thyer xhamin e mjetit.

Policia ka nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Nuk dihet ende nëse kanë qenë të njëjtët persona që kanë realizuar dy vjedhjet në lagjen nr.17.