16 qershor 2015 – Kanë kaluar 16 vite nga dita kur foshnja 2 muajsh ndërroi jetë në spitalin e Durrësit për shkak të temperaturës së lartë, por prindërit ende nuk kanë mundur të çregjistrojnë fëmijën nga gjendja civile. Babai i foshnjës, Zihni Vojka, tha për gazetën “Panorama” se ka shkuar deri në dyert e Kryeministrisë, por asnjë zgjidhje nuk është gjetur. Kryefamiljari tregon se në vitin 99' e ka çuar foshnjën në spital, nga ku pas katër ditësh doli i vdekur. "Më kujtohet si sot. Foshnja kishte temperaturë të lartë dhe bashkëshortja më tha të dërgonim në spital. Ishte data 11.05.1999, kur e shtruam në spitalin e Durrësit, nga ku pas katër ditësh e nxorëm të vdekur. Nuk fajësoj askënd për vdekjen e foshnjës. Mendoj se ky ishte fati i zi i tij dhe i yni si prindër. Ndoshta kështu e kishte shkruar Zoti. Por ajo çka më shqetëson prej 16 vitesh nga vdekja e tij është sorollatja që po më bëjnë institucionet për ta çregjistruar nga gjendja civile", tregon Zihni Vojka, babai i foshnjës.

Kryetari i Bashkisë Sukth, Sherif Fortuzi, shprehet se është në dijeni të problemit që ka familja Vojka. "Ne si bashki, por edhe personalisht e njoh problemin e familjes Vojka, pasi kryefamiljari vjen shumë shpesh për të kërkuar zgjidhje. Gjendja civile nuk ka asnjë lloj kompetence për të vepruar nëse procedurat nuk kryhen në kohën e duhur. I vetmi institucion që mund ta çregjistrojë foshnjën pas 16 vjetësh është Gjykata, e cila ka kompetencë të plotë për të vepruar", tha ai.