DURRES, 5 korrik 2013 – Seksioni Kundër Vjedhjeve me Dhunë dhe Armë në Sektorin për Krimet e Rënda të Policisë së Durrësit arriti të kryejë hapa të rëndësishëm lidhur me hetimin e vjedhjes me armë të ndodhur në lagjen Nr.4 të qytetit të Durrësit më 24 qershor, duke bërë të mundur identifikimin e dy autorëve të kësaj ngjarje dhe kapjen në orët e para të mëngjesit të sotëm të njërit prej tyre.
Sipas policisë Durrësit, rreth orës 06.00 të ditës së sotme, me informacionet që kjo strukturë kishte grumbulluar u ndërmor një kontroll në Divjakë të Lushnjës, tek të afërm të një prej autorëve të dyshuar të ngjarjes, gjatë së cilit u bë e mundur kapja e ndalimi i shtetasit Edmond Disha, 24 vjeç, lindur e banues në Shkozet, i dënuar më parë për prodhim e shitje të lëndëve narkotike.
Pas identifikimit, për shtetasin në fjalë dhe bashkautorin e dytë në ngjarje, të identifikuar nga ana e policisë, ishte bërë shpallja në kërkim më datë 25.06.2013 dhe konform Kodit të Procedurës Penale kishin vijuar veprimet për kërkimin e tyre.
Gjatë kontrollit të banesave të tyre janë gjetur e sekuestruar në cilësinë e provës materiale një paruke, një palë doreza si dhe veshje të cilat dyshohet të jenë përdorur nga autorët gjatë kryerjes së veprës.
Ngjarja
Më datë 24 qershor, rreth orës 14.30, dy persona të maskuar dhe me armë pasi kanë ndjekur me motoçikletë përgjatë itenerarit të lëvizjes shtetasen me iniciale K.K., 55 vjeçe, nëpunëse e Parkut të Autobuzëve, e cila do arkëtonte një shumë prej 700.000 lekësh në një nga filialet e bankave në Durrës, në lagjen Nr.4 të qytetit Durrës, i kanë vjedhur me dhunë çantën në të cilën mbante shumën e parave dhe më pas, gjatë kohës kur në ndihmë të së dëmtuarës kanë ndërhyrë kalimtarë të rastit, kanë plagosur me armë zjarri pistoletë dy prej tyre,Agim Ballën, rreth 53 vjeç dhe Gentian Micin, rreth 26 vjeç.
Sipas policisë së Durrësit, nisur nga rrezikshmëria dhe impakti në publik, hetimi i kësaj ngjarje u vlerësua si prioritar dhe nën drejtimin edhe të Prokurorisë së Rrethit hetimet e para u zhvilluan me intensitet dhe çuan kështu në identifikimin brenda një kohe të shkurtër të autorëve. Po kështu u arrit edhe kapja e shtetasit Edmond Disha, i cili strehohej me qëllim shmangjen e hetimit tek halla e tij në Divjakë.
Materialet proceduriale shtesë për shtetasit në fjalë, të cilët akuzohen për veprën penale të vjedhjes me armë në bashkëpunim iu përcollën Prokurorisë së Rrethit Durrës për ndjekje.
Ndërkohë nga ana e policisë vijojnë masat për kërkimin e kapjen e autorit të dytë të përfshirë në këtë ngjarje të rëndë.
/Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





