Trajneri italian Çezare Bexhi (në foton poshtë) nuk do të jetë më në stolin e Teutës, pasi ka dhënë dorëheqjen nga detyra që mbante.

Vendin e 46 vjeçarit që qëndroi për disa javë në stolin e Djemve të Detit do ta zërë trajneri Gentian Begeja. Lajmi konfirmohet nga burime të brendshme të klubit të Teutës.

Nuk dihet ende nëse Begeja do të jetë trajneri që do të udhëheqë Teutën përgjatë gjithë kampionatit apo do të jetë në këtë detyrë provizorisht, deri në gjetjen e një tjetër trajneri për ekipin bregdetar.

Kujtojmë se Begeja ishte në drejtim të Teutës përgjatë gjithë fazës përgatitore para nisjes së kampionatit dhe rikthehet tashmë vetëm disa javë pas zëvendësimit të tij nga trajneri italian Çezare Bexhi.

Ndërkohë mësohet se italiani që mbajti vetëm për pak javë stolin e Teutës është larguar në drejtim të Anglisë, ku e pret firma me klubin e Lids Junajtid.

Në adresë të Bexhit ka mbërritur një ofertë e rëndësishme nga klubi i Lids Junajtid, i cili aktualisht gjendet në Championship (kategoria e dytë angleze).

Atje ai do të ketë rolin e asistentit të Garri Monk në pankinën e këtij klubi, i cili është në pronësi të ish-presidentit të Kaljarit, Masimo Çelino dhe ka një staf të zgjeruar italian. Sipas marrëveshjes së nënshkruar mes Bexhit dhe Teutës, kontrata mes palëve mund të ndërpritej me mirëkuptim nëse i vinte një ofertë e tillë nga jashtë Shqipërisë.