Ashtu siç pati paralajmëruar disa ditë më parë “DurrësLajm”, miratimi i dorëheqjes së 5 krerëve të Njësive Administrative (ish-komunave) do të pasohej nga miratime dorëheqjesh të tjera në nivel drejtorësh në bashki.
Dhe pikërisht këtë ditë të parë të kësaj jave të re, kryetarja e bashkisë Emiriana Sako ka miratuar dorëheqjen e drejtorit të Drejtorisë Ekonomike, Ermal Lufo dhe drejtoreshës së Drejtorisë së Shërbimeve Sociale, Meme Xhaferaj.
Për vakancat e krijuara në këto drejtori, në faqen zyrtare të bashkisë www.durres.gov.al janë shpallur dy konkurset respektive, për zgjedhjen e drejtorëve të rinj.
Pritet që në faqen zyrtare të bashkisë, të shpallen edhe konkurse të tjera në nivel drejtorësh, pasi kryebashkiakja Sako po vijon me miratimin e dorëheqjeve të tjera për drejtorët, performanca e të cilëve nuk ka qenë në nivelin e dukur sipas komisionit të vlerësimit.
M.B.





