Durrës, 31 maj 2014 – Dy raste largimi nga shtëpia të vajzave (në njërin rast bëhet fjalë për një të mitur), janë denoncuar orët e fundit në komisiariatin e policisë së Durrësit dhe Krujës.
Dy prindër të alarmuar i janë drejtuar për ndihmë efektivëve të rendit, pasi vajzat u janë larguar pa treguar destinacionin ku po shkonin dhe gjatë gjithë kësaj kohe nuk kanë kontaktuar me prindërit e tyre.
Një 45 vjeçar nga Durrësi, S.Sh. ka denoncuar në polici faktin se vajza i është larguar nga shtëpia mëngjesin e së premtes si gjithnjë për të shkuar në shkollë, por më pas nuk është kthyer më në shtëpi. 41 vjeçari ka deklaruar para uniformave blu se vajza e tij 15 vjeçare A.SH., nuk është larguar më parë nga shtëpia dhe nuk ka qenë fëmi problematik.
Pasi ka kontaktuar me familjarët e tij dhe shoqet e vajzës, të cilën nuk dinin asgjë për vendndodhjen e së miturës, 45 vjeçari i është drejtuar policisë. Të njëjtën gjë ka bërë edhe një prind 51 vjeçar nga fshati Larushk i Krujës.
51 vjeçari A.E. ka deklaruar para uniformave blu se vajza e tij 24 vjeçare A.H., i është larguar nga shtëpia, që në datë 28 maj. Pasi ka pritur për disa ditë me rradhë që vajza të vihej në kontakt me të ose të ëmën, babai ka kërkuar ndihmën e policisë për lokalizimin e vendndodhjes së vajzës së tij.
Në të dy rastet, efektivët e rendit kanë nisur punën për gjetjen e ketyre dy shtetaseve.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





