Në vigjilje të muajit të madhërueshëm të Ramazanit, komuniteti mysliman në Durrës po përgatitet për muajin e sakrifikës.

Për imamin e Xhamisë së Madhe të Durrësit, Ervin Qylafku, besimi në zot mbetet i fortë dhe i qëndrueshëm.

Në mesazhin e tij drejtuar besimtarët myslimanë, imami Qylafku uron një muaj të begatë për të gjithë shqiptarët dhe familjet e tyre.

“I uroj të gjithë besimtarët myslimanë, por edhe të gjithë qytetarët e Durrësit me fat muajin e Ramazanit. Zoti ia pranoftë lutjet, adhurimet. Ia lehtësoftë agjerimin dhe ia pranoftë atë si dhe zoti i begatoftë të gjithë shqiptarët e familjet e tyre.”,– tha imami Qylafku.

Muaji i Ramazanit nis ditën e shtunë, datë 2 prill. Ramazani është muaji ku besimtarët myslimanë ndërpresin ushqimin e pijen, duke filluar që nga nisja e agimit deri në perëndim të diellit (nga syfyri deri në iftar); është një muaj i vlerave të larta njerëzore, morale e sociale, muaji i solidaritetit dhe bashkëpunimit, muaji dedikuar më shumë adhurimit dhe këndimit të Kuranit, muaji i sadakasë dhe i mirëbërësisë, muaji i mëshirës, virtytit dhe dhembshurisë.