· Sëmundje seksualisht e transmetueshme, që haset në të gjitha moshat: nga 15 deri në moshën 65 vjeç
DURRËS, 2 maj 2014 – Qyteti bregdetar e kishte “harruar” sifilizin qysh në vitin 1973, por sëmundja veneriane ngjitëse dhe e rëndë, që zgjat shumë kohë, u rikthye në vitet 2011-2012 edhe në Durrës.
Sipas një studimi të realizuar në Institutin e Shëndetit Publik Tiranë, në periudhën 1 prill 2011 deri në 1 maj 2012, ka pasur 59 raste të reja me sifiliz, nga të cilat tri në Durrës (shih tabelën).
Dr. Aleko Anagnosti, shef i dermato-venerologjisë në spitalin e Durrësit, qysh në vitin 1945, ndoqi në vazhdimësi luftën kundër sifilizit, mjaft të përhapur në zonë, prandaj në vitin 1958 u dekorua me urdhër pune.
Sifilizi është një sëmundje seksualisht e transmetueshme, e cila shkaktohet nga bakteri Treponema pallidum.
Tjetër rrugë transmetimi është marrja e gjakut të infektuar dhe rruga verikale, nga nëna te fetusi, kur nëna është e infektuar me këtë sëmundje.
Është një infeksion që prek vetëm njeriun.
Nga viti 1973 deri në 1995 në Shqipëri nuk është raportuar asnjë rast me sifiliz; nga viti 1995 numri i rasteve ka qenë gjithnjë në rritje.
Mosha mesatare e personave të ekzaminuar ka qenë 34.8 vjeç, duke variuar nga 15 deri në 68 vjeç.
Mosha mesatare e meshkujve të cilët kanë rezultuar pozitivë ishte 38.1 vjeç, ndërsa mosha mesatare e femrave pozitivë ishte 35.1 vjeç, shihet ndryshim statistikisht i rëndësishëm ndërmjet tyre.
Meshkujt kanë 1.2 herë më tepër gjasa sesa femrat për të rezultuar pozitivë.
Sifilizi është një sëmundje që haset në të gjitha moshat.
Në studim sifilizi është hasur nga mosha 15 deri në moshën 65 vjeç.
Mosha mesatare ka qenë 33 vjeç.
Grupmosha 25-34 vjeç ka qenë grup mosha me e ekspozuar ndaj sëmundjes. Kjo është e lidhur me riskun e shtuar të kësaj grupmoshe për të qenë më të ekspozuar ndaj sëmundjeve seksualisht të transmetueshme.
Info
Sipas Fjalorit Enciklopedik Shqiptar, endemitë sifilitike në Ballkan janë njohur nga fund i shekullit XVIII dhe në shekullin XIX.
Për përhapjen e sifilizit në Shqipëri kanë ndikuar sidomos ushtritë e huaja, trafiku tregtar, emigracioni ekonomik si dhe mungesa e shërbimit mjekësor.
Sëmundja kishte karakter endemik në shumë zona të vendit, sidomos në zonat e thella. Mjekimi bëhej kryesisht nga empirikët me zhivë, jod etj.
U hapën disa qendra antiveneriane (Durrës, Tiranë, Elbasan), por puna e tyre mbeti shumë e kufizuar, gjendja e sifilizit u rëndua edhe më shumë.
Lufta kundër sifilizit nisi me miratimin e dekret-ligjit të vitit 1949 nga Kuvendi Popullor “Për çrrënjosjen e sifilizit”.
U bë depistimi aktiv i popullsisë (klinik dhe serologjik), kryesisht në zonat endemike, në të sëmurët e shtruar në spitale, gratë shtatzëna, punonjësit e sektorit ushqimor, të komunikacionit etj; u vendos mjekimi i detyruar, menjëhershëm, falas dhe i fshehtë në vatrat e infeksionit; u morën masa antiepidemike të rrepta dhe u ndalua me ligj prostitucioni.
/përgatiti th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





