Durrës, 9 shtator 2014 – Largimi nga puna nuk është "gëlltitur" nga një infermiere e spitalit rajonal të Durrësit.
42 vjeçarja E.B., që prej kohësh punonte në këtë qendër spitalore është pushuar ditët e fundit nga puna.
Për të kërkuar sqarime për vendimin e marrë nga drejtoria e spitalit, ish-infermierja është drejtuar për tek zyra e shefes së personelit të këtij institucioni.
Debati mes dy grave është zhvilluar në një situatë të tensionuar, ku nuk kanë munguar tonet e larta dhe madje kërcënimet për jetë.
Infermierja duket se ka drejtuar gishtin ndaj shefes së personelit për pushimin e saj nga puna dhe për këtë arsye ka kërkuar prej saj rikthimin në punë, në të kundërt mund të mos kthehej më e gjallë në shtëpi.
Ndërhyrja e personelit të spitalit ka ulur disi gjakrat, ndërkohë që sapo situata është normalizuar, shefja e personelit është drejtuar në polici për të bërë denoncimin përkatës.
Ndaj ish-infermieres 42 vjeçare, policia e Durrësit ka nisur procedimin penal në gjendje të lirë me akuzën “Kanosje për shkak të detyrës”.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





