– Ministri Beqaj: “Gatishmëri e plotë për shërbim cilësor dhe në kohë të ndërhyrjes së shpejtë për turistët dhe vizitorët”
DURRËS, 5 gusht 2014 – Inspektohen 4 qendra të përkohshme shëndetësore të urgjencës mjekësore të ngritura për sezonin turistik në zonën e bregdetare.
Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, i shoqëruar nga drejtori i Shëndetit Publik të Durrësit Dr. Kristo Huta dhe z. Sulejman Ibrahimi, kryetar i komunës së Ishmit, inspektoi më 5 gusht 2014 katër qendra të përkohshme shëndetësore të urgjencës mjekësore të ngritura për sezonin turistik në zonën e bregdetare të Shkëmbit të Kavajës, Plazhin e Durrësit, Maminasit dhe Gjirit të Lalzit në Rrethin e Durrësit.
Ndërmjet masave të tjera për mbarëvajtjen dhe sigurimin e kujdesit shëndetësor gjatë sezonit turistik të verës, Ministria e Shëndetësisë ka organizuar edhe ngritjen e këtyre qendrave të përkohshme të urgjencës mjekësore për të përballuar një nga problematikat me rëndësi jetike për popullatën, siç është ndërhyrja e shpejtë dhe me cilësi për shpëtimin e jetëve në rastet e urgjencave mjekësore dhe parandalimin e handikapit.
Dr. Huta, duke shpjeguar se me këtë nismë të ministrisë, tha:
“Risia këtë vit është që shërbimi shëndetësor i urgjencës për sezonin turistik është shumë më i organizuar “janë hapur katër ambulanca, në bashkëpunim me shërbimin e emergjencave lokale dhe asistencën e pushtetit vendor, përkatësisht në zonën e Shkëmbit të Kavajës, atë të Stacionit të Hekurudhës, Maminas dhe Gjirin e Lalzit, me personelin, barnat dhe pajisjet mjekësore të nevojshme, të cilat mbulojnë me shërbim të gjithë zonën e bregdetit”.
Ndërsa Ministri Beqaj deklaroi se kjo vizitë inspektuese u organizua për të parë se sa të gatshme janë strukturat e ofrimit të shërbimit të urgjencës mjekësore në zonën e bregdetit të rrethit të Durrësit.
Kreu i shëndetësisë shqiptar z. z. Ilir Beqaj bëri të ditur:
“Ne kemi krijuar një sistem me disa struktura në mjedise të përkohshme të urgjencës përgjatë vijës së bregdetit duke filluar që nga Velipoja e duke shkuar deri në Ksamil. Sot bashkë me drejtuesit e shëndetësisë në Durrës vizituam katër qendrat shëndetësore në zonën bregdetare të Durrësit dhe është momenti për të falënderuar në radhë të parë mjekët dhe të gjithë personelin që shërben në këto qendra, të cilët punojnë me orare më të gjata, edhe në shërbim 24-orësh.
Dëshiroj të falënderoj gjithashtu edhe qendrën e vullnetarëve të shërbimit të emergjencave civile, të cilët janë në gatishmëri qoftë me ambulancat, qoftë me personelin”.
Z Beqaj falënderoi për gatishmërinë dhe bashkëpunimin edhe pushtetin vendor, pa të cilin, siç theksoi ai, nuk mund të plotësojmë mirë nevojat që ka sezoni turistik, si dhe bashkëpunimin e mirë me Agjencinë Kombëtare të Turizmit dhe me strukturat e Policisë së Shtetit.
Ministri Beqaj tha në fund:
“Ajo çfarë bëjmë ne përfaqësuesit e të gjithë institucioneve publike, qendrore apo vendore, janë në funksion të mbarëvajtjes së sezonit turistik. Shqipëria i ka potencialet e turizmit, i ka ende të fjetura, por padyshim, që të zhvillojmë një turizëm cilësor, duhet që operatorët turistikë, këto operatorët e mëdhenj që e kanë me interes turizmin në Shqipëri, të kenë minimumin e një garancie për plotësimin e nevojave emergjente, ku edhe shëndetësia është një nga sektorët e rëndësishëm në këtë drejtim”.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





