Durrës, 27 maj 2014 – Inspektorati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar ka prishur gjatë ditës së sotme 14 kioska dhe 21 tezga në aksin rrugor Plepa-Lushnjë, të cilat ishin pa dokumentacionin përkatës.
Synimi kryesor i këtij aksioni sipas INUK-ut, ishte lirimi i hapësirave publike. Deri më tani nuk janë raportuar konflikte me pronarët e këtyre objekteve pa leje, gjatë aksionit për prishjen e tyre.
INUK gjithashtu po vijon punimet për prishjen pallatit 9-katësh që ndodhet te Shkëmbi i Kavajës, i cili po qëndron i bllokuar nga inspektorët prej një jave. Xhenierët kanë vendosur lëndën plasëse në kollonatë e ndërtesës, por ende nuk dihet kur do të bëhet shembja e tij. Ky objekt është në pronësi të biznesmenit Enver Shala, i cili nuk zotëron asnjë dokument pronësie as për truallin ku është ndërtuar pallati.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





