DURRES, 01 prill 2013 – 52 kilometra tubacione të ujit të pijshëm pritet të shtrihen brenda 5 vite në Durrës. Investimi që kap vlerën 86 milion dollarë pritet të nisë brenda 2-muajve dhe ka për qëllim përmirësimin e cilësisë së ujit. Projekti është një investim i Bankës Botërore.
I pranishëm gjatë prezantimit të projektit në Këshillin e Qarkut, ishte dhe ministri i Transporteve Sokol Olldashi, i cili tha se ky investim mbetet mjaft i rëndësishëm, pasi do t’i japë zgjidhje përfundimtare problemit të furnizimit me ujë të pijshëm.
"86 milion dollarë do të akordojë Banka Botërore për këtë qëllim, duke siguruar një linjë të re të furnizimi me ujë për qytetin me 210 mijë banorë, linjë e cila do të jetë e pavarur nga linja ekzistuese që nis nga stacioni i pompimit në Fushë Kuqe”- tha Oldashi.
Ministri nënvizoi se në Durrës, 8 mijë familje furnizohen me ujë 24 orë, ndërkohë që ky projekt do të shtrihet në të gjithë qarkun. Nëse projekti zbatohet në përputhje me parashikimet, ai pritet të përmirësojë ndjeshëm sasinë dhe furnizimin e rregullt me ujë, si dhe të ulë humbjet në rrjet.
Linja e re do të jetë me tubacion 700 milimeter dhe do të kalojë paralel me bregdetin, ndërsa linja ekzistuese gjendet në lindje. Ajo, në të ardhmen do të funksionojë për furnizimin me ujë të pijshëm të komunave dhe bashkive nga Fushë Kuqja deri në Durrës.
Punimet për ndërtimin e ujësjellesit të ri pritet të fillojne pas dy muajsh dhe hartuesit e projektit kanë parashikuar që për një periudhë 5 vjeçare të instalohen matësa në masën 100 perqind dhe të rritet në 85 përqind arkëtimi i faturave. Një aspekt të rëndësishëm në këtë investinm paraqet edhe rrjeti i kanalizimeve të ujërave të zeza, sektor i cili do të përfitojë 5.2 milion dollarë.
/e.a. Agjencia e Lajmeve “Dyrrah”/





