DURRËS – Burime zyrtare nga ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve sha Durrës bëjnë të ditur për Agjensinë e Lajmeve Dyrrah se kjo shoqëri aksionare publike do të përurojë para datës 23 qershor 2013 një sërë investimesh, që realizohen me burimet e saj financiare nga të ardhurat e siguruara.

Përveç blerjes së materialeve hidraulike dhe rikonstruksionit të zyrave të veta në Durrës, Ujësjellës-Kanalizimet sha synon që brenda 30-45 ditëve, duke filluar nga marsi, të realizohen prokurimet e  rëndësishme, sikurse janë përmirësimi i furnizimit me ujë i lagjes “Sallmone dhe Stallat” në komunën e Xhafzotajt me fond 28.443.975 lekë; rikonstruksioni i linjës së ujësjellësit në Shkozet, Durrës me fond 33.766.059 lekë; rikonstruksion i stacionit të pompave në Fushë Kuqe me fond 87.605.545 lek; përmirësimi i furnizimit me ujë të lagjes “Perimore” të bashkisë së Sukthit me fond 25.994.476 lekë; rikonstruksion i tubacionit diametër 400 në Xhafzotaj të komunës së Rrashbullit me fond 43.442.904 lekë; përmirësimi i furnizimit me ujë të lagjes së Re dhe të Hoxhëve me fond 4.906.697 lekë dhe përmirësimi i furnizimit me ujë në fshatin Borç, në bashkinë e Manzës me fond 2.660.579 lekë.