· Aksion në të gjithë zonën që mbulon Drejtoria rajonale e Durrësit e OSHEE-së: u janë vënë darët lidhjeve të korrentit për debitorët: në Durrës 1 350, Krujë 1 285, Shijak 554 dhe Kavajë 416
· Pas “dajakut” / 416 borxhlinj në Kavajë arkëtuan brenda ditës 6,9 milionë lekë
DURRËS, 15 tetor 2014 – “Dajaku ka dalë nga xheneti”, thonë të vjetrit, kështu ka rezultuar të mërkurën në Kavajë, kur, pas prerjes së korrentit për 416 borxhlinj, këta të fundit kanë nxituar të arkëtojnë brenda ditës 6,9 milionë lekë, ndërkohë që “dajaku” është shtrirë dhe në Durrës, Krujë, Shijak dhe Golem.
Të mërkurën, më 15 tetor 2014, Drejtoria rajonale e Durrësit e operatorit të shpërndarjes së energjisë elektrike (OSHEE) ka nisur në mënyrë ballore “qethjen” borxhlinjve të tri zonave në Durrës dhe asaj turistike në fiderin 3 të Golemit (në foto).
Sipas z. Abdyl Koka, përgjegjës i shitjeve dhe arkëtimeve, në Golem janë evidentuar 1 120 subjekte të ndryshme, të cilat nuk i kanë shlyer OSHEE-së gjithsej 86 milionë lekë (mbi 600 mijë euro) “elektrikë”; prandaj u prenë deri të mërkurën 420 lidhje debitorësh.
Z. Koka ka deklaruar gjithashtu se u janë vënë darët lidhjeve të dritave për debitorë: në Durrës 1 350, Krujë 1 285, Shijak 554 dhe Kavajë 416 borxhlinj.
Këto masa të forta po japin rezultatet e para, kështu në Kavajë u arkëtuan brenda ditës 6,9 milionë lekë.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





