Ish-mësuesja Dikter Mustafaraj ka ardhur para publikut me një libër kushtuar shkollës “Jan Kukuzeli” në 60 vjetorin e krijimit të kësaj shkolle arstistike.

Deri tani, për shkollën e kontributeve të mëdha “Jan Kukuzeli”, nga gjiri i së cilës dolën qindra  kuadro dhe artistë të mrekullueshëm që me talentin dhe vlerat e tyre njerëzore nderuan Shqipërinë, është folur fare pak. 

Dikter Mustafaraj, edhe pse në pension ka punuar me aq vullnet e dashuri për të mbledhur, sistemuar dhe evindentuar në këtë libër vlerat e spikatura të mësuesve dhe nxënësve të kësaj shkolle dhe sidomos të traditës që ajo krijoi, duke u rreshtuar në pararojën e arsimit shqiptar.

Pas një pune të madhe disa vjeçare autorja në promovimin e librit, shprehet se kjo nuk`duhet harruar, sidomos nga ata që vijnë pas nesh që të frymëzohen nga paraardhësit e tyre.

“Duke i bërë bashkë gjithë brezat, për më shumë se gjysmë shekulli, të duket sikur ata, jo vetëm i bashkon ky historik, i vllazëron, por dhe u kthen njëherazi emocionet e vjetra, kënaqësitë për sukseset e arritura, vështirësitë e kaluara etj.”

Në librin e Dikter Mustafarajt, po ashtu konstaton dhe vazhdimësinë e vlerave dhe virtyteve të fituara në atë shkollë gjatë jetës si kuadër, piktor, këngëtar, skulptor e instrumentist qoftë.

Jepen aty plot shembuj ndihme, përkrahje e solidariteti, pra bashkëpunimi i sinqertë mes mësuesve, nxënësve dhe mësuesve e vetë nxënësve, siç shihet te përfshirja në grupin e korit e drejtoreshës së shkollës etj.

Në historikun e shkruar rrjedhshëm nga kjo autore, del puna e gjithëanshme, deri edhe jashtëshkollore, nëpërmjet koncerteve, takimeve, garave, pjesëmarrjes në shfaqje të ndryshme, ngritjes profesionale të arsimtarëve, shkëmbimit të përvojës, bashkëpunimit me prindërit dhe veprimtari për nxitjen e dëshirës për lexime, ku vetë kjo mësuese e ka pasur në qendër të vëmendjes pasi ka drejtuar edhe bibliotekën e pasur të kësaj shkolle.

Promovimi i librit erdhi si një takim i bukur edhe i autores me ish-mësues e nxënës të organizuar nga Biblioteka e qytetit në hollin e teatrit “Aleksandër Moisiu”.

K.H.