DURRËS, 17 korrik 2014 – Ikën drejtori administrativ Shefqet Bruka, i emëruar nga ish-ministri i Mbrojtjes Arben Imami, vjen një komandant, nënkolonel Edmond Voci në krye të Qendrës së Vëzhgimit Detar, mbas një shërbimi 4-vjeçar si oficer shtabi në Qendrën Operacionale të Forcave Ajrore të NATO-s në Bolonja (Itali).
Në një ceremoni të zhvilluar më 16 korrik 2014, pa praninë e medieve, në Komandën e Forcës Detare në Plepa u prezantua komandanti i Qendrës së Vëzhgimit Detar (QVD), nënkolonel Edmond Voci.
Komandanti i Forcës Detare gjeneral brigade Qemal Shkurti vlerësoi karrierën dhe aftësitë profesionale të komandantit, i cili tha se emërimin në këtë detyrë e konsideronte nder dhe përgjegjësi, njofton zyra e shtypit e FD-së.
Info 1
Nënkolonel Voci është diplomuar në Akademinë Ushtarake për lokacion, zbulim i largët, në vitin 1994.
Është trajnuar për kontrollin e trafikut ajror në Itali dhe SHBA dhe për operacionet e mbështetjes së paqes nga NATO-ja.
E ka filluar karrierën si specialist radari në qendrën e vëzhgimit ajror në Porto Romano.
Nga viti 2006 deri në vitin 2009 ishte pjesë e grupit të punës për zbatimin e projektit SIHVD nga kompania prestigjioze “Lockheed Martin”.
Nënkolonel Voci vjen në këtë detyrë mbas një shërbimi 4-vjeçar si oficer shtabi në Qendrën Operacionale të Forcave Ajrore të NATO-s në Bolonja.
Info 2
Qendra Ndërinstitucionale Operacionale Detare (QNOD) është një institucion ndërdikasterial që ka për detyrë të sigurojë vëzhgimin e hapësirës detare shqiptare, për të realizuar organizimin, planëzimin, bashkërendimin dhe drejtimin e operacioneve në det, në përputhje me legjislacionin detar kombëtar dhe ndërkombëtar.
Institucionet pjesëmarrëse në QNOD janë Ministria e Brendshme, prani 24-orësh me anë të koordinatorëve institucionalë dhe oficerëve të shërbimit; Ministria e Mbrojtjes, prani 24-orësh si dhe bën operimin dhe mirëmbajtjen e Sistemit të Vëzhgimit të Hapësirës Detare; Ministria e Financave, prani 24-orësh nëpërmjet koordinatorëve institucionalë dhe oficerëve të shërbimit; Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, kapacitet bashkërendues etj.
/th. m. agjencia lajmeve “Dyrrah”/





