DURRËS, 3 maj 2014 – Ishmi është shndërruar në magnet për investime dhe jo vetëm në Gjirin e Lalëzit apo në Kep të Rodonit, kështu komuna arriti të japë dy sipërfaqe toke publike me qira për firma me seli në dy fshatra nën juridiksionin e saj.
Sipas një formulari të njoftimit të fituesit, komuna e skajshme e rrethit të Durrësit, ajo e Ishmit, i ka dhënë me qira një hapësirë publike me sipërfaqe prej 1 424 metra katrorë një firme italiane me seli në fshatin Rrotull përballë shkollës fillore.
Është interesante se, sipas zyrtarëve të komunës socialiste, firma quhet Xheni Oil Group shpk që ofertoi 265 320 lekë gjithsej, mesatarisht me 186.3 lekë metrin katror.
Por sipas NIPT-it të Qendrës Kombëtare të Regjistrimit, del që firma quhet Eco Alba Group shpk.
Dhe më e saktë është natyrisht QKR-ja, pasi me emrin Xheni Oil Group shpk duhet të kemi të bëjmë me ndonjë shoqëri karburantesh apo nafte.
Por me NIPT-in e publikuar nga komuna e Ishmit, QKR-ja thotë se operatori ekonomik merret me trajtimin, e mbeturinave të ngurta urbane, prodhimin e tregtimin e betonit, asfaltit, drejtimin e impianteve për prodhimin e energjisë termike dhe elektrike, drejtimin e minierave për nxjerrjen e materialeve inerte, imobiliare, ndërtime, shitblerje makinash, motorësh dhe automjetesh me motor në përgjithësi, mjete pune dhe lundruese etj.
Kuptohet se çfarë serioziteti ka zhvillimi i një procedure prokurimi në njësinë e qeverisjes vendore me kryetar z.Sulejman Ibrahimi, kur nuk përputhet emri i operatorit ekonomik me NIPT-in; për më tepër kur flitet për një shtetas italian.
Ndërkaq e ka marrë me qira sipërfaqen tjetër, prej 1 603 për 288 540 lekë, ose me 180 lekë për një metër katror, operatori ekonomik Musaj Company 2012 shpk me seli në fshatin Kuraten, 100 m larg pikës së inerteve Hoxha (fillimisht firma e ka pasë selinë në "Elbasan; në komunën e Paprit, fshati Valas, pranë Karburant Garant Petrol dhe pastaj është zhvendosur në qytetin e Durrësit, lagjja 15, përballë Karburant Pernoca, ish-Fidanishtja, Spitallë dhe për herë të tretë në Ishëm).
Nisur nga lista e gjatë e objektit të aktivitetit, kemi të bëjmë me një firmë projektuese dhe ndërtimi, por edhe me tregtim të artikujve të ndryshëm, transport, turizëm, diskoteka, pyje, kullota e mjedis, ushtrim të gjuetisë sportive turistike etj.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





