Në kushte mjerane, mes lagështirës, mungesës së infrastrukturës, në mungesë të dyerve dhe të dritareve, me të tillë gjendje i pret fëmijët e Nishtullës shkolla nëntëvjeçare “Isuf Ferra” në këtë prag të vitit të ri shkollor. Kur ndodhemi në vigjilje të vitit të ri shkollor, nuk është marrë asnjë masë për përmirësimin e infrastrukturës në këtë shkollë, ndonëse stafi pedagogjik, nxënësit dhe mësuesit e kënë ngritur shpesh zërin, duke theksuar se e kanë të pamundur kryerjen e procesit mësimor.

Kryetari i bordit të shkollës “Isuf Ferra”, tha se shkolla nuk është gati për të pritur nxënësit, ndërsa kërkoi ndërhyrje të menjëhershme për restaurimin e saj. Për shkak të infrastrukturës së rënduar, shkolla po braktiset nga nxënësit. Sipas Korumit, prindërit përpiqen t’i transferojnë fëmijët e tyre, pasi situata është alarmante dhe procesi mësimor nuk zhvillohet në kushte normale.

Në shkollën “Isuf Ferra” mësojnë rreth 600 fëmijë, 540 prej të cilëve ndjekin arsimin e detyruar 9-vjeçar, ndërsa 60 janë fëmijë që frekuentojnë kopshtin që ndodhet në godinën e kësaj shkolle.

Adrian Gurra, drejtor i Arsim Kulturës në bashkinë e Durrësit është pyetur për këtë çështje nga “DurrësLajm”.  Gurra tha se sapo ka përfunduar projekti për rikonstruksionin e shkollës në bashkinë e Durrësit. Në fund të muajit tetor pritet që ky projekt të tenderohet dhe në muajin nëntor të bëhet lëvizja e nxënësve të shkollës në një shkollë tjetër. Projekti për rikonstruksionin e shkollës varion nga 20 deri në 25 milionë lekë, dhe rikonstruksioni pritet të zgjasë  2 deri në 3 muaj.

Gurra nënvizoi se në fillim të javës së ardhshme do të shpjegojë me detaje projektet ku është duke ndërhyrë, e në cilat godina arsimore po punohet në këtë prag të vitit të ri arsimor.

K.H.