-Dyrrah”-u falënderon zëdhënësen Ornelë Çakon për korrektesën në komunikim, por sidomos vlerëson kulturën e lartë gjuhësore në formulimin e njoftimeve, gjë që nuk haset në institucionet publike, madje, as në ato arsimore

DURRËS, 24 qershor 2013 –  Uniformat blu janë të kënaqura me komunitetin dhe forcat politike, që e shndërruan qarkun bregdetar si një nga "parajsat" elektorale, për nivelin evropian që u demonstrua nga durrsakët më 23 qershor. 

Sipas zëdhënëses së Drejtorisë së Policisë së Qarkut Durrës, Ornelë Çako, procesi i votimit më 23 qershor 2013 u zhvillua i qetë dhe i sigurt.

Çako thotë se uniformat blu, që u angazhuan me detyra zgjedhore dhanë më të mirën e tyre në zbatimin me rigorozitet e profesionalizëm të detyrimeve të tyre ligjore, në funksion të garantimit të një votimi të lirë e të pandikuar.

Kjo edhe në saj të një planëzimi të detajuar të detyrave e personelit policor, trajnimit, menaxhimit e kontrollit të vazhdueshëm të tyre përgjatë gjithë  ditëve të fundit.

Konkretisht, pas procesit të ruajtjes gjatë natës të qendrave të votimit, u çel procesi i votimit sipas përcaktimeve të parashikuara në Kodin Zgjedhor në 443 Qendra Votimi, ndërsa në një qendër votimi, pikërisht në atë me nr. 1285, në fshatin Tapizë Krujë, votimi filloi rreth orës 10.00.

Procesi i votimit në gjithë qarkun pati një ecuri normale dhe vetëm në një rast, komisionet e qendrave të votimit iu drejtuan Policisë së Shtetit për të ndërhyrë, pikërisht kur një shtetas, në QV nr. 1424, në shkollën 9-vjeçare “Isuf Ferra” në Shkozet, orvatej të votonte forcërisht duke paraqitur si dokument identifikimi një pasaportë tej afateve të vlefshmërisë.

Lidhur me rastin në fjalë, pas marrjes së vendimit të KQV të firmosur nga gjithë anëtarët, punonjësit e komisariatit të Durrësit të atashuar pranë vendeve të dislokimit, ndërhynë duke normalizuar situatën dhe po me vendim të KQV u larguan nga QV-ja.

Me mbylljen e procesit të votimit, i cili në shkallë qarku ka përfunduar rreth orës 20.00, ka vijuar shoqërimi i materialeve zgjedhore drejt 7 vendnumërimit të votave (VNV) në shkallë qarku (5 Durrësi, dhe nga një Shijaku e Kruja).

Në orën 18.00, shërbimet e policisë morën në ruajtje 7 VNV-të në shkallë qarku, të cilat do të ruhen nga efektivat deri në momentin e nxjerrjes së tabelave të rezultatit nga KZAZ.

Në orën 23.30 përfundoi shoqërimi dhe dorëzimi i materialeve zgjedhore të të 444 qendrave të votimit, proces ky, i cili u zhvillua i qetë dhe pa probleme, deklaron Çakoja.

Punonjësit e policisë të ngarkuar me shoqërimin e kutive, pasi firmosën e u pajisën me kopje të procesverbaleve të marrjes në dorëzim, u larguan nga mjediset e KZAZ-ve.

Aktualisht detyrimet e Policisë lidhen me ruajtjen e vendeve të numërimit të votave deri në nxjerrjen e tabelave të rezultateve  si dhe  ndërhyrjen në rast se do të kërkohet me vendim të KZAZ, për të larguar nga vendet e numërimit të votave persona jashtë përcaktimeve të bëra në Kodin Zgjedhor që refuzojnë të largohen apo prishje të rendit në këto mjedise.

Me këtë rast, “Dyrrah”-u dëshiron të falënderojë Çakon për korrektesën në komunikim, por sidomos vlerëson kulturën e lartë gjuhësore në formulimin e njoftimeve, gjë që nuk haset në institucionet publike, madje, as në ato arsimore!

/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/