Kryetari i Bashkisë së Durrësit, nisur nga verifikimet që i janë bërë deklarimit të pasurisë nga vetë ai, rezulton një ndër drejtuesit vendor më të pasur. Në pronësi të tij rezultojnë dy shtëpi, tre troje, tre prona të tjera që mund të jenë dyqane, parkingje ose diçka e ngjashme, ndërkohë që disponon vlera monetare më shumë se 100 mijë euro.

Kryetarët e bashkive bëjnë pjesë në kategorinë e zyrtarëve që, në momentin që marrin detyrën dhe në fillim të çdo viti, kanë detyrimin, në respekt të Ligjit Nr. 9049, datë 10.04.2003 “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publik”, të deklarojnë pasurinë e tyre, dhe jo vetëm.

Open Data Albania, një iniciativë e Albanian Institute of Science dhe Fondacionit Shoqëria e Hapur, ka analizuar formularët fillestarë dhe vjetorë të vetëdeklarimit nga 61 kryebashkiakët e vendit.

Sa i përket pasurive të paluajtshme në zotërim, kryebashkiaku durrsak Vangjush Dako nuk bën pjesë në grupin e më të pasurve. Në një kohë që dy kryebashkiakë kanë deklaruar se nuk kanë asnjë pronë të paluajtshme në zotërim, gjashtë kryebashkiakë kanë më shumë se 10 prona të paluajtshme në zotërim. Këta kryebashkiakë janë Basir Çupa i Klosit, Eduart Kapri i Pogradecit, Fiqiri Ismaili i Vorës, Gjon Gjonaj i Pukës, Majlinda Bufi e Roskovecit dhe Tonin Marinaj i Malësisë së Madhe.

Kryebashkiaku durrsak Vangjush Dako rezulton me tetë prona të paluajshme, ku dy janë shtëpi, tre janë troje, dhe tre të tjerat janë dyqane, parkingje, etj.

Sa i përket vlerave monetare në zotërim, kryebashkiaku durrsak bën pjesë në ‘klubin’ e më të pasurve. Vangjush Dako ka deklaruar se zotëron më shumë se 100 mijë euro.

Në një kohë që 25 kryebashkiakë kanë më pak se 50 mijë euro, 10 kryebashkiakë kanë nga 50 mijë euro deri në 100 mijë euro në zotërim, 11 kryebashkiakë kanë më shumë se 100 mijë euro. Kryetari i Bashkisë së Durrësit bën pjesë në këtë kategori të fundit, sëbashku me Altin Toskën e Cërrikut, Basir Çupën e Klosit, Fatos Tushen e Lushnjes, Fiqiri Ismailin e Vorës, Gjon Gjonajn e Pukës, Jorgo Goron e Himarës, Majlinda Bufin e Roskovecit, Melaim Damzin e Bulqizës, Qazim Sejdinin e Elbasanit, dhe Tonin Marinajn e Malësisë së Madhe.

N. H.