Tiranë, 15 korrik 2014 – Ministria e Mjedisit publikon projektin për transformimin e Kodër Vilës në Durrës ku tashmë prej disa ditësh ka nisur puna për transformimin e kësaj zone. Gjatë fjalës së tij, për bilancin e 300 ditëve të Ministrisë që ai drejton, ministri Lefter Koka, duke u ndalur konkretisht tek rehabilitimi i Kodër Vilës u shpreh:

“Makthi i qytetarëve durrsakë do të mbarojë brenda pak muajve, kur zona e Koder Viles do të shndërrohet në një shëtitore tejet atraktive për qytetin”.

Ditën e prezantimit të këtij projekti dhe nisjes së punimeve, më 5 qershor, Lefter Koka nga Durrësi duke u ndalur tek problematika e theksuar e kësaj zone tha: “Kjo zonë ka qenë shumë problematike për qytetarët  pasi gjatë reshjeve të shiut rrezikonte banorët dhe kalimtarët me rrëshqitjen e dherave. Ne jo vetëm do të zgjidhim problemin e rrëshqitjes, por edhe do t’i ofrojmë qytetarëve një park të bukur, të gjelbërt, të aksesueshëm për qytetarët dhe vizitorët. Me këtë projekt i japim rëndësi të vecantë gjelbërimit dhe mbrojtjes së ekosistemit”.

Projekti për rehabilitimin e Kodrës Vilë është hartuar dhe financuar nga Ministria e Mjedisit. Ky projekt përfshin sigurinë teknike me rrjeta mbajtëse dhe mbjellje me pemë dhe me bar, në mënyrë që kjo kodër jo vetëm të mos rrëshqasë më, por të jetë një vend frekuentimi nga qytetarët durrsakë. Projekti parashikon  një pedonale, stola, ndricim, vend për biçikleta etj. Përvec rehabilitimit do të realizohet edhe pyllëzimi i Kodrës. Fidanët që do të mbillen  janë akacie, oleandër, rrap, selvi etj. Në total kostoja e projektit është 240 milionë lekë të reja (me TVSH).

Zbatimi i projektit filloi me 5 qershor 2014 dhe mbaron në fund të këtij viti. 

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/