· Intervistë e gazetares së “Shekulli”-t Anxhela Devole me shefin e shërbimit të imazherisë pranë Spitalit Rajonal të Durrësit, Ilir Doda
DURRËS, 24 tetor 2014 – Shefi i shërbimit të imazherisë pranë spitalit rajonal të Durrësit, Ilir Doda tregon se zbulimi sa më herët i shenjave të kancerit të gjirit dhe drejtimi te mjeku specialist bën të mundur diagnostikimin e hershëm dhe trajtimin adekuat të kësaj patologjie malinje e për rrjedhojë prognozë më të favorshme për gruan e prekur. Ai tha gjithashtu se në kuadër të këtij muaji, me nismën e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Drejtorinë e Shëndetit Publik Durrës, spitali po realizon një projekt depistimi për ekzaminimin mamografik të grave mbi moshën 50- vjeçare dhe veçanërisht grave arsimtare.
Cilët janë faktorët që shkaktojnë kancerin e gjirit?
Mundësia e kancerit rritet me rritjen e moshës. Ndër faktorët hormonalë që ndikojnë në rritjen e incidiencës [frekuenca e sëmundjes] së kancerit të gjirit mund të përmendim gratë që kanë pasur ciklin e parë menstrual në moshë më të hershme, nën 12 vjeç, gratë me moshë të vonshme menopauze mbi 50 vjeç etj. Rrezatimet e zgjatura në kohë apo radioterapitë në zonën e gjoksit shtojnë riskun për shfaqjen e kancerit të gjirit. Stili i jetës apo veset sot konsiderohen si faktorë potencialë në rritjen e riskut për kancer të gjirit ku ndër më kryesoret mund të përmendim obezitetin [mbipesha] dhe alkoolin. Faktorët familjarë dhe hereditarë [të trashëgimisë] ndikojnë gjithashtu.
Cilat janë disa nga shenjat e para të shfaqjes së kancerit?
Ndër shenjat e para të shfaqjes së kancerit të gjirit mund të përmendim: konstatimi nga ana e gruas i një të ngriture apo gunge në gjirin e saj, prekja e një kokrre apo nodusi të lëvizshëm ose jo, rrudhosje apo tërheqje e lëkurës së gjirit, tërheqje apo futje brenda e thithit të gjirit, sekrecione jo qumështore, kryesisht hemoragjike nga thithi i gjirit, ndryshimi i ngjyrës së lëkurës së gjirit si portokall, apo prekja e gjëndrave të zmadhuara në sqetull. Për interes të publikut duhet të theksojmë dy momente për sa i përket shenjave të kancerit të gjirit. Së pari, shpesh kanceri i gjirit mund të zbulohet pa shenja paraprake, pra mund të jetë asimptomatik [pa simpotma]. Së dyti, dhembja e gjirit, e cila në shumicën e rasteve e detyron gruan të drejtohet te mjeku nuk është shenjë patognomonike [(e një shenjëe ose simptome), specifikisht karakteristike apo treguese e një sëmundjeje të veçantë apo gjendjeje] për kancerin e gjirit.
Si mund t'i zbulojë gruaja këto shenja?
Mënyra më e thjeshtë dhe më e mirë për gjetjen e shenjave të para në gjoksin e gruas është vetë-ekzaminimi apo vetë-kontrolli i gruas.
Çfarë është vetë-kontrolli ?
Vetë-kontroll apo vetë-ekzaminim do të thotë që gruaja, me anë të një procedure të thjeshtë të zbulojë në gjoksin e saj ato shenjat e para të dyshimta për kancer gjiri. Vetë-kontrolli i gruas është mirë të bëhet rreth 7-10 ditë pas ciklit menstrual, periudhë kur hormon-stimulimi i gjirit është më i ulët.
Si realizohet vetë-kontrolli?
Teknika e realizimit të vetë-kontrollit është shumë e thjeshtë. Vendi ideal për ta kryer është para pasqyrës. Gruaja duke qëndruar para pasqyrës me dorën e saj të lagur me sapun rrëshqet të gjithë gishtat mbi gji duke i kaluar nga periferia drejt thithit të gjirit, duke bërë të mundur kontrollin e të gjithë kuadrateve të gjirit dhe në drejtim të sqetullave për të konstatuar praninë ose jo të limfonodulave [nyja limfatike] të zmadhuara si rezultat i kancerit të gjirit. Kontrolli i gjirit me gishtat e dorës shoqërohet njëkohësisht edhe me një inspektim vizual të kujdesshëm.
Sa shpesh duhet bërë vetë-kontrolli?
Vetë-kontrolli i gjirit nga ana e gruas duhet të kryhet një herë në muaj.
Çfarë duhet të bëjë një grua kur vë re këto shenja?
Me të zbuluar një nga shenjat e kancerit të gjirit gruaja duhet të drejtohet te mjeku specialist apo edhe te mjeku i familjes për të bërë ekzaminim klinik të gjirit. Më pas, duke u nisur edhe nga mosha, faktorët e riskut si dhe shenjat e konstatuara në ekzaminimin klinik të gjirit, gruas i rekomandohen ekzaminimet përkatëse, qoftë mamografi dhe ekografi apo rezonancë magnetike sipas rastit.
Procesi mamografik është i dhimbshëm?
Procedura e realizimit të një mamografie është pak e dhimbshme prandaj në pacientë me ndjeshmëri të lartë këshillohet kryerja e mamografisë në periudhën rreth një javë pas ciklit menstrual ku aktiviteti hormonal i gjirit është më i ulët.
Mamografia e zbulon sëmundjen dy vjet para shfaqjes?
Mamografia është metoda më efikase për diagnostikimin e kancerit të gjirit. Ajo mund të zbulojë që në gjenezë qelizat kancerogjene në gjirin e një gruaje. Ekzaminimi mamografik zakonisht fillon në moshat mbi 40 vjeç, ndërsa në kategoritë e grave me risk të lartë mamografia mund të fillojë edhe në mosha më të reja. Në kabinetin e mamografisë pranë Spitalit Rajonal Durrës disponohen aparatura mamografie digjitale dhe ekografie moderne si dhe staf i kualifikuar që garantojnë ekzaminime shumë cilësore dhe diagnostikim të hershëm të kancerit të gjirit. Ekzaminimi mamografik në moshat nga 40-50 vjeç kryhet njëherë në vit dhe pas moshës 50 vjeç për gra që kanë rezultuar normal në ekzaminimet e para, mamografia kryhet një herë në dy vjet. Për gratë në mosha të reja, ku densiteti i gjirit është më i lartë dhe sensitiviteti i mamografisë është më i ulët, këshillohet ekzaminimi ekografik dhe në disa raste rezonancë magnetike.
Të gjitha gratë duhet të tregojnë më shumë kujdes për veten e tyre. Kushtojini vetëm 10 minuta vetes tuaj që të shpëtoni nga kanceri i gjirit. Mamografia e zbulon kancerin e gjirit rreth 2 vjet më shpejt se ai të shfaqet. Nëse diagnostikohet dhe trajtohet shpejt kanceri i gjirit mund të shërohet.
Titulli dhe sqarimet në kllapat katrore janë të “Dyrrah”-ut, titulli në origjinal “Një grua e shëndoshë siguron një familje dhe shoqëri të shëndoshë”
/red. th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





