Durrës, 13 prill 2014 – Policia e Durrësit përmes një hetimi dy mujor ka dokumentuar me prova audio dhe video shpërndarjen e heroinës dhe kanabisit në shkollat e mesme të qytetit bregdetar nga anëtarët e grupit të prangosur mëngjesin e sotëm në kuadër të operacionit policor "Weekend 2". Në pamjet filmike shihen qartë anëtarët e grupit, kur trafikonin tek gjimnazistët dozat e heroinës dhe kanabisit. (në foto momente nga shitja e dozave të lëndëve narkotike në shkollën e mjeshtërisë sportive “Benardina Qeraxhia”)
Në foto duken momentet kur disa prej shpërndarësve e ushtronin këtë aktivitet të paligjshëm brenda oborreve të shkollave të mesme të qytetit. Prej mëse dy muajsh, policia kishte marrë sinjalizime për një grup të rinjsh, që të patrazuar, shisnin heroinë dhe hashash në ambientet e institucioneve arsimore. Duket se për grupin e përbërë prej 6 personash, nga të cilët 5 të arrestuar dhe një i shpallur në kërkim, ishte kthyer në biznes mjaft fitimprurës tregtimi i lëndëve narkotike mes nxënësve të ciklit të mesëm, që ishin blerësit kryesorë të drogës.
Për më tepër 5 të ndaluarit e ushtronin këtë aktivitet të paligjshëm në mes të ditës, në institucione arsimore të cilat duhet të merrnin masa të rrepta për të evituar futjen e personave të jashtëm në mjediset e shkollës.
Në të njëjtën kohë, 5 të ndaluarit Nevrus Lico, Haxhi Ruçi, Ajgi Hysaj, Tiger Kertoci dhe Olsi Hajrulla në më shumë se 6 raste kishin furnizuar me lëndë narkotike edhe të paraburgosurit e Durrësit. Sipas policisë, të rinjtë hidhnin nga jashtë rrethimit të I.E.V.P. Durrës doza heroine dhe kanabisi në periudha të ndryshme, në varësi të porosive të bëra nga të paraburgosurit.
Në cilësinë e provës materiale, të rinjve të përfshirë në këtë rrjet trafikimi iu sekuestruan 200 doza heroinë dhe 300 doza kanabis. Njëkohësisht atyre u janë sekuestruar edhe një granatë dhe fishekë ushtarakë.
Të arrestuarit nga policia e Durrësit:
1-Nevrus Lico, 21 vjec, banues ne Durres.
2-Haxhi Ruçi, 21 vjec, banues ne Durres.
3-Ajgi Hysaj, 19 vjec, banues ne Durres.
4-Tiger Kertoci, 20 vjec, banues ne Durres.
5-Olsi Hajrulla, 22 vjec, banues ne Durrës
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





