DURRES, 14 prill 2013– Mungesa e kushteve higjeno-sanitare në tregun e fruta-perimeve në Durrës e Shkozet, rrezikon seriozisht shëndetin e konsumatorëve durrsak. Produktet e shportës konsumatore në tregje i gjen mes baltës, pluhurit dhe  plehrave,  në kushte vërtet skandaloze. Në këto tregje që vetëm të tilla nuk mund të quhen zhvillojnë aktivitetin brenda dhe jashtë ambjenteve të tyre, të paktën 200 tregtarë. Pjesa e atyre që tregtojnë jashtë, jo të paktë në numër, janë të vendosur pa kriter, në mes të rrugës, duke penguar jo vetëm lëvizjen e  kalimtarëve me tezgat e tyre por duke thithur  vazhdimisht dhe pluhurin e rrugës.

Mjaft produkte si qumështi, djathi, gjiza, gjalpi etj, jo vetëm që nuk mbahen në kushte frigoriferike, apo tregtohen në ambiente të hapura, por ato nuk janë të pajisura me asnjë etiketë që mund të tregojë subjektin prodhues, datën e skadencës, vendin e origjinës apo vlerat ushqyese. Pikërisht këta nënprodukte të qumështit shiten në ambiente të dukshme dhe në kushte tërësisht të papërshtatshme. Por, përpos kësaj situatë  problematike, ku në rrezik është jeta e konsumatorëve autoritet përgjegjëse, si pushteti vendor, inspektoriati i shëndetit publik, autoritetet e sigurisë ushqimore gjithashtu dhe mjedisi tregohen indiferentë, duke mos ushtruar detyrën  për të cilën ligji i ngarkon. Ndaj dhe qytetarët me të drejtë akuzojnë inspektorët për tolerancë ndaj këtij fenomeni, ndonëse edhe ata vetë bëhen pjesë, apo nxitës të tij, duke blerë të tilla produkte në treg të hapur.

Tregtarët që shesin në rrugë, në pamundësi për të pasur një treg të mirëfilltë, e quajnë biznesin e  tyre si të ligjshëm, edhe pse në kundërshtim me të gjitha standardet e higjensës  për të shitur produkte ushqimore. Ata pranojnë se kushtet në të cilat tregtojnë nuk janë të duhurat, por kjo jo për fajin të tyre. Ata pohojnë se janë taksapagues të rregullt pranë bashkisë së Durrësit, por kjo e fundit nuk është aspak e interesuar për të përmirësuar kushtet apo për të ndërtuar një treg me standartet e kërkuara. Në spitalin e Durrësit mësojmë se rastet e  helmimeve nga ushqimet kanë qenë disa herë më të larta se tremujori i parë i vitit që lamë pas. Sipas autoriteve shëndetësore kjo vjen pikërisht nga cilësia e ulët e ushqimeve dhe mungesa e kujdesit gjatë konsumit të  tyre. 

Statistikat nga Autoriteti i Kontrollit Ushqimor në Durrës bëjnë me dije se 1.2 ton ushqime janë bllokuar përgjatë vitit që lamë pas. Por faktet në terren tregojnë se tonelata të tjera produktesh ushqimore vazhdojnë të shiten në një pjesë të madhe të pikave tregtare në kushte jo të përshtatshme higjeno-sanitare dhe kjo përsëri rëndon në shëndetin e konsumatorëve durrsakë. 

/e.a. Agjencia Lajmeve “Dyrrah”/