· Në bashkinë e Durrësit, më 30 qershor 2013, janë paditur 11 persona për shpërdorim detyre dhe për shkelje të pabarazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike për 48 milionë e 373 mijë lekë dëme
· Masa disiplinore e administrative të rekomanduara gjatë vitit 2013: bashkia Durrës 19 veta plus drejtoria e taksave dhe tarifave vendore 26 veta; bashkia Manëz 11 veta; bashkia Sukth 9 veta; bashkia Fushë-Krujë 11 veta; komuna Ishëm 23 veta; Këshilli i Qarkut 8 veta; spitali rajonal Durrës 9 veta; drejtoria e shërbimit spitalor Krujë, 10 veta; dega e doganës, 10 veta.
DURRËS, 18 prill 2014 – Kontrolli i Lartë i Shtetit, që kontrollohet ende nga PD-ja, aktualisht në opozitë, ka bërë publike listën e subjekteve të audituara, përfunduar dhe evaduar gjatë vitit 2013, ku vërehet se dhe në qarkun e Durrësit kanë kaluar në “sitë” shumë njësi të pushtetit vendor dhe ente publike.
Mbështetur në materialet zyrtare, “Dyrrah”-u ka nxjerrë statistika domethënëse për dëmet që i janë sjellë buxhetit të shtetit para zgjedhjeve të 23 qershorit 2013, si nga administrata publike e PD-së ashtu dhe nga njësitë vendore “lejla” dhe “blu”.
LISTA
Departamenti i auditimit të buxhetit të pushtetit vendor, kontrollit të territorit, administrimit dhe privatizimit të pronës shtetërore ka kontrolluar bashkitë e Manzës, Sukthit, Fushë-Krujës, Durrësit; komuna e Ishmit; Këshilli i Qarkut Durrës; Spitali Rajonal, Durrës; Drejtoria e Shërbimit Spitalor, Krujë.
Departamenti i auditimit të investimeve dhe projekteve me financime të huaja, shoqërive publike dhe mbrojtjes së mjedisit ka kontrolluar Sha Ujësjellës Kanalizime, Durrës.
Departamenti i auditimit të të ardhurave të buxhetit të shtetit ka shkuar në degën e doganës, Durrës dhe drejtorinë e tatim-taksave dhe tarifave vendore të bashkisë së Durrësit.
Departamenti i auditimit të perfomancës ka kontrolluar Drejtorinë e Përgjithshme të Hekurudhave mbi “Shërbimin Hekurudhor, nevoja për ndryshim”.
DËMET
Për parregullsitë dhe shkeljet financiare me dëm ekonomik në të ardhurat dhe në shpenzimet e kryera, të pasqyruara në raportet e auditimit të evaduar gjatë kësaj periudhe, KLSH-ja ka rekomanduar zhdëmtimin e dëmit të shkaktuar në masën 100 për qind të tij. Kështu, në bashkinë e Durrësit 58 619 000 lekë; në drejtorinë e taksave dhe tarifave vendore të bashkisë së Durrësit 25 121 000 lekë, në bashkinë e Manëz 683 000 lekë; të Sukthit 4 873 000 lekë; të Fushë-Krujës 4 532 000 lekë; në komunën e Ishmit 2 576 000 lekë; në Këshillin e Qarkut Durrës 1 082 000 lekë; në spitalin rajonal të Durrësit 2 118 000 lekë; shërbimin spitalor të Krujës 3 080 000 lekë.
Kurse në degën e Doganës së Durrësit ka një dëm prej 55 965 000, por dhe 55 810 000 lekë, si detyrime doganore të papaguara në zhdoganimet e bëra në vlerën prej 1 114 000 lekë; të ardhura të munguara nga klasifikimi i gabuar i kodit tarifor në vlerën prej 36 372 000 lekë; kundërvajtje administrative në vlerën 399 000 lekë dhe rivlerësim bazuar në çmimet e referencës në vlerën 17 925 000 lekë.
NDËSHKIMET
Në bashkinë e Durrësit, më 30 qershor 2013, janë paditur 11 persona për shpërdorim detyre dhe për shkelje të pabarazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike (nenet 248 dhe 258 të Kodit Penal) për 48 milionë e 373 mijë lekë dëme; ata janë në hetim.
Ja sa masa disiplinore e administrative janë rekomanduar gjatë vitit 2013: bashkia Durrës 19 veta plus drejtoria e taksave dhe tarifave vendore Bashkia Durrës 26 veta; bashkia Manëz 11 veta; bashkia Sukth 9 veta; bashkia Fushë-Krujë 11 veta; komuna Ishëm 23 veta; Këshilli i Qarkut 8 veta; spitali rajonal Durrës 9 veta; drejtoria e shërbimit spitalor Krujë, 10 veta; dega e doganës, 10 veta.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





