DURRËS, 22 shtator 2013 – Kriza ekonomike në Evropë reflektohet dhe në portin e Durrësit, gjë që ka ndikuar në frekuentimin më të ulët të strukturave turistike, pasi këtë vit, në periudhën janar-gusht, në terminalin e trageteve të portit të Durrësit kanë qarkulluar 10 për qind më pak udhëtarë, 16 për qind më pak vetura në krahasim me 8-mujorin 2012, gjë që ka çuar në pakësimin e numrit të rejseve (rrugë vajtje-ardhje) në 14 për qind.
Sipas statistikave të drejtorisë ekzekutive të Autoritetit Portual Durrës (APD) sha, ka një rënie drastike të numrit të të huajve që kanë përdorur portin e Durrësit për të vizituar apo për të bërë biznes në Shqipëri. Kështu, gjatë periudhës janar-gusht 2013, kanë hyrë 10,872 të huaj më pak (13 për qind) se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Por edhe numri i emigrantëve shqiptarë kanë qenë më i ulët se gjatë 8 muajve të vitit të kaluar, 11 009 të tillë (7 për qind). Një zë më vete në statistikë është numri i të miturve: kanë hyrë 6 965 më pak (minus 16 për qind). Në total kanë hyrë 28846 udhëtarë më pak (10 për qind). Për pasojë, kjo reflektohet dhe numrin e veturave që kanë zbarkuar nga tragetet, që pësuan rënien me 12 667 copë më pak (minus 16 për qind). E tillë është gjendja dhe për numrin e udhëtarëve në drejtim të porteve italiane: në total kanë dalë 27 483 shqiptarë, të huaj, të mitur më pak (10 për qind). Gjithë qarkullimi, zbarkim-imbarkim, i udhëtarëve, si 8-mujor 2013 në krahasim me vitin e kaluar, arriti në 56 329 (10 për qind) më pak shqiptarë, të huaj, të mitur; 21,266 (16 për qind) më pak vetura. Në këto shifra kanë ndikuar muajt korrik dhe gusht, kur është dhe piku i pushimeve verore. Kështu në korrik kanë hyrë 15 334 (9 për qind) udhëtarë më pak se në korrik 2012, kurse në muajin gusht 6 751 (7 për qind) më pak. Gjithë kjo “thatësirë” në terminalin e trageteve është reflektuar në rënien e konsumit në strukturat turistike, por dhe në mosngritjen e çmimeve në tregun bujqësor ditor të Durrësit, sidomos gjatë gushtit. Ky pakësim i qarkullimit i ka detyruar kompanitë e lundrimeve që të ulin dhe numrin e rejseve (rrugë vajtje-ardhje) me 130 të tilla (14 për qind).
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





