DURRES – Jepet me koncesion për 35 vjet terminali i kontenierëve në Portin e Durrësit. Në mjediset e drejtorisë së përgjithshme të APD në prani të ministrit të Transporteve, Sokol Olldashi, u nënshkrua sot Proçesverbali i Dorëzimit për Konçesionin e parë në territorin portual.
Marrëveshja e dorëzimit, që parashikon transferimin e infrastrukturës së Terminalit si dhe personelit e tij nga APD te shoqëria konçesionare Kurum, u nënshkrua nga drejtori i përgjithshëm i APD, ing. Eduard Ndreu dhe administratori i shoqërisë konçesionare Kurum, Ahmed Kursun.
Ministri Olldashi nënvizoi pas nënshkrimit të marrëveshjes se dhënia me koncesion do të ndikojë në zhvillimin e Portit të Durrësit. “Ky konçesion është një arritje shumë pozitive për portin e Durrësit, sepse do t‘i lejojë Terminalit të konteinerëve, të marrë nga dita në ditë një volum më të madh dhe një peshë gjithmonë më të madhe në aktivitetin ekomik të portit“,- tha ministri Olldashi.
Konçesioni parashikon një investim në vlerën prej 30.5 milion USD përgjatë 35 viteve të zhvillimit të koncesionit. Në vazhdimësi të gjithë punonjësit e Terminalit të konteinerëve do të vazhdojnë të punojnë, tanimë jo si punonjës të portit detar, por si punonjës të Terminalit të konteinerëve me konçesionin Kurum.
Duhet të theksoj, theksi më tej ministri i Transporteve, se 21 përqind e tarifës do ti shkojë APD-së, megjithëse Terminali do të funksionojë si konçesion, 2 përqind i shkon buxhetit të shtetit dhe pjesa që mbetet, sigurisht i shkon shoqërisë.
Në terminalin e konteinerëve gjatë vitit 2012 janë përpunuar mbi 83 mijë njësi konteinerike. Në përpunimin e konteinerëve është ngarkuar kalata 7 dhe 8 me një gjatësi rreth 250 ml, dhe sheshe në dispozicion të depozitimit të konteinerëve prej 42.360 m2. Volumi i përpunimit të konteinerëve për vitin 2011 krahasuar me vitin 2010 ka patur një rritje në masën 9 %, ndërsa për vitin 2012 ka një rritje në masën 8% krahasuar me vitin 2011. Ndikim në këtë rritje ka patur eksporti i mineraleve me konteinerë.





