Maturantët që i kaluan me sukses provimet e Maturës Shtetërore janë tani në fazën e regjistrimeve për në universitete, ndërsa të tjerët që nuk ia dolën sot, kanë zhvilluar sot provën e tyre të dytë.

Gjatë paradites së sotme është zhvilluar provimi i Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë për të gjithë ata maturantë, të cilët kanë rezultuar mbetës në sesionin e parë të Maturës Shtetërore. Ky sesion i dytë ka filluar që më 27 gusht për t’u përmbyllur në datën 7 shtator, me testimin e fundit në lëndët me zgjedhje.

Në të gjithë vendin janë rreth 3 mijë e 500 maturantë mbetës që do t’i nënshtrohen provimeve të vjeshtës, ndërsa në Qarkun e Durrësit numri i tyre është 262.

Krahas maturantëve mbetës në provimet e Maturës Shtetërore, sot në provim janë ulur edhe ata maturantë, të cilët arsimin e mesëm e mbyllën në sezonin e vjeshtës.

Provimi nisi në orën 9:00 të mëngjesit dhe zgjati për rreth 3 orë e gjysmë, ndërsa është zhvilluar në ambientet e gjimnazit “Leonik Tomeo”. Ky provim do të pasohet me atë të Matematikës, më datë 3 shtator, ndërsa testimi i fundit do të jetë ai i lëndëve me zgjedhje, që do të zhvillohet më 7 shtator.

Niveli i vështirësisë së tezave do të jetë i njëjti me ato në të cilat u testuan maturantët në qershor, në mënyrë që të gjithë të vlerësohen në mënyrë të barabartë. Maturantët që do të japin provimet e vjeshtës, do të rinisin regjistrimet për në universitet më datë 15 shtator.