Durrës, 25 korrik 2014 – Një sherr i nisur mes dy femrave ka bërë që njëra prej tyre të mbetet e dëmtuar dhe tjetra të shoqërohet në polici. Protagoniste të rrahjes për motive të dobëta kanë qenë kamarierja 42 vjeçare e një lokali në Durrës dhe klientja 48 vjeçare, nga Përmeti.

Mësohet se grindja mes dy femrave ka nisur në ambientet e lokalit, pasi kamarierja pretendonte se është ofenduar nga klientja që e ka quajtur “E përdalë”.

42 vjeçarja D.D., nga Durrësi ka qenë duke i shërbyer kafen e mëngjesit 48 vjeçares A.P., kur kjo e fundit i është drejtuar me fjalë fyese.

Megjithëse nëpër lokale funksionon rregulli “Klienti ka gjithnjë të drejtë”, kamarierja duket se nuk e ka ‘gëlltitur’ fyerjen dhe ka nisur të godasë me shuplaka dhe grushta klienten 48 vjeçare.

Një unazë me gur që ka pasur në gisht kamarierja i ka shkaktuar një gërvishje në fytyrë 48 vjeçares.

Në këto kushte kanë ndërhyrë pronari dhe klientët e lokalit për të ndarë gratë që u kapën për flokësh në sy të shumë të pranishmëve.

Kamarierja D.D. u shoqërua për këtë rast në polici dhe ndaj saj ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë për veprën  ”Dëmtime të tjera me dashje”.

Në këtë rast, me shumë mundësi ajo ka humbur edhe vendin e saj të punës.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/