Durrës, 20 gusht 2014 – Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka marrë pjesë në një kampionat noti të organizuar nga kompleksi turistik “Aragosta” në bashkëpunim me pushtetin vendor.
Këtë herë protagonistë të garave të notit nuk ishin notarët që stërviten pranë klubit shumësportësh “Teuta”, por notarë të vegjël amatorë.
Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, i cili ka qenë i pranishëm gjatë këtij aktiviteti, deklaroi se veprimtari të tilla sportive janë një ogur i mirë për të rritur sensibilizimin e qytetarëve dhe bizneseve për sportet e ujit, sidomos gjatë stinës së nxehtë.
Nga ana e tij, pronari i kompleksit “Aragosta” e njëkohësisht kryetar i degës së Durrësit për Shoqatën Shqiptare të Turizmit – ATA, Eduard Xhepa, u shpreh se ky ishte një aktivitet që i shërben argëtimit fizik dhe edukativ, por njëkohësisht është një nxitje për biznesin dhe operatorët turistikë të Durrësit për të qenë sa më aktivë në shërbim të pushuesve.
Njëkohësisht aktivitete të tilla, sipas Xhepës, nxisin fëmijët të merren sa më shumë me aktivitete fizike.
Në këtë kampionat noti ku garuan 18 notarë meshkuj e femra ra në sy një rivalitet shumë i madh midis notarëve të vegjël.
Në përfundim të kampionatit në vend të dytë u rendit Cone Noka, 14 vjeç, ndërkohë që në vendin e parë dhe kupën e ka marrë në një ceremoni të veçantë notarja 12 vjeçare Lea Dimo e cila jeton në Gjermani dhe aktualisht me familjen e saj është me pushime pikërisht në kompleksin “Aragosta”.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





