Këto pamje nuk kanë nevojë për shumë koment. Ndotja ambientale në kanalin që përshkon lagjen nr.14 në Durrës është në nivele shumë të larta.
Me qindra bidonë plastikë kanë bllokuar kanalin tek “Ura e teqes”, ujërat e zeza derdhen përgjatë gjithë gjatësisë së tij, ndërsa mbeturinat urbane të shpërndara gjithandej ua bëjnë jetesën thuajse të padurueshme banorëve të zonës.
“Eshtë shumë problem për ne kjo ndotje. Jemi ankuar shumë herë edhe për ujërat e zeza që derdhen brenda në kanal, por nuk kemi gjetur zgjidhje“,- thotë një qytetar.
“Shih e shkruaj është situata këtu. Pis, gjithë mikrobe, gjithë mushkonja“,- thotë një tjetër për “DurrësLajm”.
Qytetarët janë të ndërgjegjshëm se niveli i lartë i ndotjes shkaktohet edhe prej papërgjegjshmërisë së tyre, sepse shumë familje që banojnë pranë kanalit i hedhin aty mbeturinat, duke “kontribuuar” edhe më shumë në rritjen e nivelit të ndotjes.
Situata pritet të përkeqësohet edhe më shumë gjatë muajve të verës për shkak të temperaturave të larta.
“Tani që do plasi vapa nis era e keqe të ndihet edhe më shumë. Mbushet plot mushkonja dhe miza”,– thotë një banor i zonës.
Në të gjithë këtë zonë ka vetëm një vend depozitimi mbetjesh. Mos tërheqja e tyre jo e rregullt ndikon drejtpërsëdrejti në rritjen e shkallës së ndotjes. Pavarësisht ankesave të herëpashershme të komunitetit të zonës, problematika nuk ka marrë një zgjidhje përfundimtare.