DURRES, 29 maj 2013 – Kandidatët e Partisë Demokratike në Durrës kanë zhvilluar, në mjediset e amfiteatrit të qytetit, një takim me të rinjtë, ku ata u janë përgjigjur pyetjeve të ndryshme mbi platformën e punës gjatë mandatit të ardhshëm.
Kandidatët Eduard Halimi, Igli Cara, Albana Vokshi, Oerd Bylykbashi, Osman Metalla, Kseanela Myderrizi, Zamir Ramadani, Arian Dedej dhe Mirlinda Çeka ishin përballë qindra të rinjve, pyetjet e të cilëve variuan që nga arsyet se përse ata duhet të votonin Partinë Demokratike, e deri te interesimi për problemet e zonave ku ata banojnë.
Deputeti aktual dhe ministri i drejtësisë Eduard Halimi, i pyetur nga një i ri, i cili voton për herë të parë, se përse ai duhet të zgjidhte Partinë Demokratike, u shpreh duke thënë se:
“Ju duhet të votoni atë që çon Shqipërinë përpara drejt zhvillimit e mirëqenies. Zgjedhja është mes alternativës së zhvillimit dhe integrimit dhe alternativës së bllokimit, – u përgjigj Eduard Halimi, – mes alternativës së nxitjes së bisnesit dhe krijimit të vendeve të reja të punës dhe alternativës së bllokimit të biznesit me taksat e larta.”
Ndërkohë, një pyetje tjetër kishte të bënte me problematikën e zonave informale, ku u prek pak edhe vizita që kreu i opozitës, Edi Rama, bëri, para disa ditësh, në zonën e ish-Kënetës.
Igli Cara, që është edhe kryetari i degës së Partisë Demokratike në Durrës, duke iu përgjigjur pyetjes u shpreh duke thënë se:
“Me sa duket, Rama nuk e di që proçesi i legalizimit tani është drejt fundit. Në këtë pikë, duke marrë si shembull edhe një këngë, që kohët e fundit është bërë hit, Igli Cara deklaroi se: “Rama është bërë i pabesueshëm.”
Ndërkohë, ai shtoi se, krahas legalizimit, zonat informale, që Bashkia e Durrësit i ka harruar krejtësisht, do t’i nënshtrohen edhe urbanizimit.
“Asnjë rrugicë e Durrësit nuk do të mbetet pa shtruar e rregulluar,” – tha Igli Cara.
Të rinjtë ju drejtuan dhe pyetje të tjera kandidatëve të PD-së, të cilat kishin të bënin me arsimin, proçesin e integrimit, shërbimet publike në qytet, të cilat Bashkia e Durrësit i kan lënë në gjendje të mjerueshme, etj.
Gjatë bashkëbisedimit, të rinjtë morën përgjigje, nga ku doli në pah edhe alternativa e punësimit dhe zhvillimit, që mbron Partia Demokratike.
/e.a. Agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





