Durrës, 7 prill 2014 – Gjatë ditës së dielë, policia e Durrësit ka nisur procedimin penal në gjendje të lirë për tre shtetas, të cilët në forma të ndryshme kanë kanosur dhe kërcënuar persona me të cilët janë konfliktuar. Rasti më i rëndë është regjistruar mes dy të rinjve, të moshës 22 dhe 21 vjeç.

Nga burime policore mësohet se 21 vjeçari L.S., nga Durrësi ka kërcënuar me jetë në zonën e Shkozetit 22 vjeçarin R.SH. Të njëjtat burime saktësojne se pas një konflikti të çastit, për motive të dobëta, 21 vjeçari i ka drejtuar armën që mbante me vete të riut tjetër, madje e ka goditur këtë të fundit me qytën e pistoletës në kokë duke e lënduar. Pasi 22 vjeçari ka bërë denoncimin në polici, forcat e rendit kanë nisur procedimin penal ndaj shtetasit L.S., i akuzuar për veprat penale të “Kanosjes” dhe “Plagosjes së lehtë me dashje”.

Ndërkohë, po për një konflikt të çastit janë konfrontuar me njëri tjetrin një 56 vjeçar dhe një 49 vjeçar. Konflikti mes të dyve ka nisur në orët e paradites së të dielës dhe në acarim e sipër 56 vjeçari L.S. ka goditur me grusht në fytyrë 49 vjeçarin D.L. Shtetasi L.S akuzohet për veprën penale “Dëmtime të tjera me dashje”.

Burime policore të Durrësit njoftojnë gjithashtu se kanë nisur procedimin penal ndaj 58 vjeçarit N.Gj. nga Katund Sukth, pasi ai akuzohet nga një 32 vjeçar se është kërcënuar nëpërmjet telefonit. Për këtë rast janë duke u kryer veprimet e nevojshme proceduriale për të vërtetuar deklarimet e palëve të përfshira.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/