DURRËS, 5 janar 2014 – Ende ka kosovarë që duan të kalojnë nëpërmjet portit të Durrësit me letra të rreme. Drejtoria e policisë së shtetit për qarkun Durrës-Krujë njofton se më 4 janar 2014 u konstatuan edhe raste të kalimit të kufirit me dokumente te falsifikuara apo dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, të cilat mbetën në tentativë, pasi personat përgjegjës u proceduan penalisht. Më 5 janar 2014 u kryen veprimet e para hetimore në gjendje të lirë në ngarkim të G. M., 40 vjeç, banues në Lladovë të Gjilanit, Kosovë, rezident në Zvicër, me shtetësi kosovare dhe M. K., 26 vjeçe, banuese në Qyshk Peje Kosovë, me shtetësi kosovare. Më 4 janar 2014, rreth orës 21.00, M. K. është paraqitur për kontroll e shoqëruar nga G. M. dhe familja e tij, të cilët udhëtonin me një “Audi” me targa VS381447. Nga verifikimi i dokumentacionit të këtyre personave, paraqitur nga drejtuesi i mjetit, rezultoi se M. K. kishte paraqitur dokumente të falsifikuara, e konkretisht pasaportë kosovare dhe leje qëndrimi zvicerane me gjeneralitete të një shtetaseje tjetër, me të cilën kishte ngjashmëri fizike. Në gjendje të lirë u procedua A. H., 29 vjeç, banues në Istog Kosovë, me shtetësi kosovare. Më 4 janar 2014, rreth orës 23.00, u kap teksa po orvatej të kalonte kufirin me një pasaportë kosovare dhe leje qëndrimi gjermane; dokumente këto me gjeneralitete të një shtetasi tjetër, të cilat i përdorte duke shfrytëzuar ngjashmërinë fizike me të.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





