DURRËS, 16 shkurt 2014 –  Zona e bukur dhe pjellore kodrinore e fshatrave të komunës së Gjepalajt përfshi dhe Shetelin janë të njohura për pemëtari dhe vreshtari, por narkotrafikantë po nxisin banorët të mbjellin dhe kanabis, duke u orvatur ta shndërrojnë në “Lazarat” të Shqipërisë së Mesme, sikurse ka ndodhur në shumë raste. Në një foto satelitore (shih) të Departamentit amerikan të Shtetit dallohen  parcela të mbjella me kanabis në Shetel.

Drejtoria e policisë së qarkut Durrës-Krujë njofton se rreth orës 22.00 të mbrëmjes së 15 shkurtit 2014, strukturat kundër krimit të organizuar në finalizuan hetimin njëmujor me operacionin të koduar “Wekeend”. Gjatë këtij operacioni u arrestuan në flagrancë 5 shtetas të armatosur, si dhe u sekuestruan rreth 50 kg kanabis dhe 5 armë. Në orën 2.00 të pasmesnatës, 16 shkurt 2014, u arrestuan në flagrancë dhe të armatosur, teksa transportonin drogë, Rozart B., 24 vjeç dhe Avni T., 32 vjeç, të dy banues në Shetel të komunës së Gjepalajt, me precedentë të mëparshëm penalë; Arjan L., 29 vjeç, banues në Likesh(t) të komunës së Gjepalajt; Ramazan Gj., 47 vjeç, banues në fshatin Rromanat të komunës së Rrashbullit; Denis D., 25 vjeç, banues në Shkodër. Blutë thonë se mbrëmjen  e së shtunës u realizua një ndërhyrje në segmentin rrugor Shijak-Durrës, rruga e vjetër, sipas të njëjtit kah lëvizjeje. Në një “Ford Galaxy” me targa  AA749 II u gjetën e sekuestruan e rreth 50 kg kanabis në thasë. Njëkohësisht u kapën 5 armë, nga të cilat tre zjarri e dy gjahu (dy  pistoleta me krehrat me fishekë; një kallashnikov me krehër e 130 copë fishekë; dy shotganë gjahu). Hetimi nxori se kanabisi ka pasur si origjinë fshatin Shetel dhe si destinacion qytetin e Durrësit për shitje të dozuar. Po punohet për të identifikuar persona të tjerë të përfshirë në narkotrafik.

Shënim: Vëmë sërish në dukje se drejtoria e policisë së qarkut Durrës-Krujë nuk di se në cilën njësi të qeverisjes vendore bëjnë pjesë fshatrat, që përmenden në komunikatën e shtypit.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/