DURRËS, 12 nëntor 2013 – Kallashnikovët e trashëguar nga trazirat e 1997, ende përdoren për dhe për gjëra banale, për hiçgjë, thjesht për kërcënim dhe prishur qetësinë, me rrezik jete, sikurse ka ndodhur në fundjavën e kaluar në dy raste. Drejtoria e policisë së shtetit për qarkun e Durrësit njofton se më 11 nëntor 2013, ora 2.30, pas mesit të natës të së hënës, u arrestua në flagrancë A. D., 21 vjeç, banues në Nikël Krujë. Më 10 nëntor 2013, rreth orës 16.00, pas një konflikti të çastit, thjesht për fërkim veturash në fshatin Nikël, ka kanosur me kallashnikov shtetasin C. P., 49 vjeç, banues në Tiranë. Gjatë konfliktit ky shtetas ka qëlluar me armë në ajër. Vijon puna për gjetjen e armës së zjarrit. Këtë ngjarje e kishte paraprirë një tjetër, tani në rrethin e Durrësit. Të premten, më 8 nëntor 2013, ora 23.55, u arrestua A. S., 35 vjeç, banues në katund Sukth, sepse rreth orës 17.30, edhe ky ka qëlluar kallashnikov te distributori i karburantit “Kastrati” në Sukth. I u sekuestrua automjeti Opel me targa DR 7188 D.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





