DURRËS, 16 dhjetor 2014 –  Në banesat e dy të arrestuarve dhe të një të treti, të shpallur në kërkim, u gjetën dhe u bllokuan 23 karta identiteti italiane, 2 patenta italiane, 4 celularë, 1.000 euro, 1 kompjuter, 2 printerë, 7 karta identiteti greke, 6 fotografi të personave të ndryshëm dhe 1 “Benz”.

Drejtoria e policisë së shtetit për qarkun Durrës-Krujë njofton se më 15 dhjetor 2014, në orën 12.00, sektori për krimin ekonomik e financiar, në bashkëpunim me prokurorinë e Durrësit, duke përdorur metodat speciale të hetimit, për një periudhë kohore rreth dymujore, finalizoi me sukses operacionin e koduar “Porosia e fundit”, ku u bë arrestimi në flagrancë i dy vetave në afërsi të stacionit hekurudhor, në një lokal, duke shkëmbyer me njeri-tjetrin dokumente të falsifikuara.  

Pas prangosjes, Adem Picarit, 49 vjeç, lindur në Tiranë dhe banues në Durrës, iu sekuestruan 6 karta identiteti italiane; 2 patenta italiane; 1 kartë identiteti dhe 1 leje drejtimi, të dyja shqiptare; 2 telefona celular.

Kurse Qani Gaçit, 44 vjeç, lindur në Mat dhe banues në Durrës, iu sekuestruan 2 telefona celular, 1 “Benz” me targa AA473CL, 3 karta identiteti italiane, 3 tesera italiane, 1 000 euro.

U bë shpallja në kërkim i Myslym Hyskos, 50 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, i dënuar më parë për falsifikim të dokumenteve, letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave, vulave, stampave, prodhimit të mjeteve për falsifikim të dokumenteve. Iu sekuestruan në mungesë në banesë 1 monitor, 1 njësi kompjuteri dhe 2 printerë për prodhimin e dokumenteve italiane dhe greke false, 14 karta identitetit italiane, 7 fletëpalosje karta identiteti greke, 3 fletëpalosje karta identiteti të paplotësuara italiane, 6 fotografi personash të ndryshëm.

Nga veprimet hetimore te kryera ka rezultuar se Adem Picari dhe Qani Gaci merrnin porosi nga shtetas të ndryshëm dhe i prodhonin dokumentet në Tiranë në banesën e Myslym Hyskos.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/