29 korrik 2015 – Dy persona arrestohen në flagrancë dhe një tjetër është në kërkim, pasi u kapën në makinë me 10 kg të llojit kanabis sativa.

Specialistët për Narkotikët në Durrës bënë të mundur prangosjen e Lavdosh Demrozit, 54 vjeç, banues në Durrës dhe Klajdi Arapit, 25 vjeç, banues në Kavajë. Gjithashtu bëhet me dije se ka nisur procedimi penal dhe po punohet për kapjen e 23-vjeçarit me iniciale K.B., banues në Kavajë, në makinën e të cilit u gjet droga.

Burime nga blutë e Durrësit sqarojnë se 23-vjeçari K.B, është larguar me një mjet tjetër, që i përket Klajdi Arapit, konkretisht me mjetin tip Benz me targa ‘AA 010 EB’, i cili u gjet në Kavajë. Ndërsa, makina në të cilën u gjend sasia e lëndës narkotike, në pronësi të 23-vjeçarit në kërkim, është tip Golf me targa ‘AA 925 HF’.

Të dyja mjetet së bashku me sasinë e drogës u sekuestruan nga policia, ndërsa çështja i kaloi për veprime të mëtejshme Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës për veprën penale “Prodhim dhe shitje e narkotikëve” në bashkëpunim.

/S.L. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/