Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, kanë goditur një tjetër rast të trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike, ku kanë arrestuar në flagrancë një marinar dhe nipin e ish-shefit të Kundërzbulimit të SHISH-it, Isa Çopës, i cili u gjet i djegur brenda makinës së tij “Opel Korsa” më 24 tetor të vitit 2011.
Sipas policisë, ata janë kapur me 600 gramë heroinë, ndërsa është shpallur në kërkim edhe organizatori i këtij trafiku.
U arrestuan:
• Julian Shaqja, 25 vjeç, banues në Durrës, marinar në tragetin e anijes Durrës-Bari;
• Klevis Çopa, 23 vjeç, banues në Durrës (nipi i ish-agjentit të vrarë).
“Arrestimi i tyre u bë pasi më datë 08.08.2016, gjatë kontrollit të ushtruar shtetasve të mësipërm në pikën e kalimit kufitar të pasagjerëve në Portin Detar Durrës, në çantën e dorës së shtetasit Julian Shaqja iu gjet dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale rreth 600 gramë lëndë narkotike e dyshuar e llojit heroinë”, bën të ditur policia e Durrësit.
Në vijim të hetimeve u bë shpallja në kërkim dhe po punohet për kapjen e një të riu i cili dyshohet se është organizator i trafikut të lëndës narkotike. Bëhet fjalë për shtetasin G. Ç. 24 vjeç, banues në Durrës,
Gjithashtu filloi proçedimi penal në gjendje të lirë edhe ndaj Halit Çopës 56 vjeç, babai i Klevisit dhe vëllai i të njderit ish-agjentit të SHISH-it, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij ka kundërshtuar pononjësit e policisë.
Ndonëse kanë kaluar 5 vjet nga ngjarja e rëndë e ndodhur në zonën e Currilave në Durrës, ende nuk është bërë e mundur identifikimi dhe arrestimi i autorëve të krimit. Aktualisht dosja “Çopa” është në arkivën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda në Tiranë.
Materialet i kaluan Prokurorisë për Krimet e Rënda Tiranë për veprime të mëtejshme për veprat penale “Tafikim i lëndëve narkotikëve” në bashkëpunim dhe “Kundështimi i punonjësit të policisë së Rendit Publik”.





